Shkollat në Shkodër do të hapen me 250 nxënës më pak, 23 mësues të infektuar me Covid

"Ju thoni do bëjmë shkolla të reja. Ore nuk kemi nxënës, fëmijët kanë ikur, kanë ikur të gjithë ën emigrim," kështu u shpreh deputeti i Lushnjes në Kuvend.

Dhe jo vetëm në Lushnje. Edhe në qarkun e Shkodrës vihet re i njëjti fenomen dhe ku në vitin e ri shkollor që nis javën tjetër do të ulen 250 fëmijë më pak. Uljen më të madhe të numrit të nxënësve do ta kenë klasat e para.

"Mund të kemi rënie të numrit të nxënësve, por nuk kemi mbyllje të klasave të shkollave. Bëhet fjalë për zonat rurale, kurse në qytet kemi udhëzim përkatës për hapjen e numrit të nxënësve për çdo paralele."  

Dhe ndër arsyet e uljes së numrit të nxënësve janë lëvizja demografike ose emigracioni.

"Deri tani rreth 250 nxënës kemi nga statistikat më pak, por në këtë shifër nuk është i përfshirë arsimi profesional."

Ndërkohë 90% e arsimtarëve në shkollat publike në Shkodër kanë marrë dozat e vaksinës.

Aktualisht në Shkodër janë 23 mësues të infektuar me Covid, ndërsa procesi i rregullt mësimor do të nisë me 27 shtator./OraNews/