Përjashtimi i Berishës/ Goci: Basha doli në TV si i marrë peng me pistoletë në tëmth

Pedagogu dhe aktivisti, Ervin Goci në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News së bashku me gazetaren Matilda Mcini diskutoi mbi situatën politike aktuale të vendit. Për pedagogun Shqipëria është futur në një situatë të re të të bërit politikë. I pyetur për vendimin e Bashës për përjashtimin e zotit Berisha, Goci tha se kjo është diçka që nuk e kishte parë gjatë 30 viteve.

Goci: "Të gjithë luftojnë për kauzën e madhe që Shqipëria të demokratizohet, por sigurisht që është një situatë shumë e vështirë. Për mua Shqipëria është futur në një situatë të re të të bërit politikë, e cila nuk ka asnjë lloj lidhje me atë që ishte para 10 vitesh. Në këtë Shqipëri ne i kemi dëgjuar të gjitha, por që klasa politike të dalë një ditë të bukur në televizion dhe kështu si e marrë peng me pistoletë në tëmth të thotë unë jam ky që jam, unë po marr një vendim  por këtë vendim s'po e marr unë, unë jam kryetari por që nuk është kryetari por në fakt ky që shikon nuk është kryetari por është dikush që e kanë porositur të marrë një vendim, unë këtë se kisha parë në 30 vite në Shqipëri. "

Foltoren për PD-në të mbledhur nga Berisha fillimisht në Tiranë, dhe ditën e sotme në Fier Goci e analizoi si "të bërit demokraci me një lloj egërsie që në Shqipëri nuk shihet prej 15 vitesh.

Goci: "Duke analizuar foltoren e zoti Berisha, atë miting të vogël më kishte marrë malli të shikoja njerëz me ato statuse, me atë lloj egërsie e të bërit demokraci që në Shqipëri prej 15 vitesh nuk shikohet gjëkundi dhe këtu do ishim shumë të padrejtë nëse do bënim fajtor vetëm lidershipin e tanishëm. Kur e shikoj këtë gjë kuptoj që në Shqipëri është vrarë një gjë e madhe, është vrarë të bërit politikë me bazën. Kjo është për mua kriza reale që ka shoqëria shqiptare."