Prapaskenat Basha-Rama, Berisha: Përdorin gjuhë kodi me njëri-tjetrin për ndryshimin e kushtetutës

Këtë të martë “Foltorja për PD” u zhvendos në Fier.

Berisha bëri publike edhe një skemë për të hedhur poshtë vendimin e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ai solli në vëmendje dhe shkarkimin e Azem Hajdarit, duke shtuar se zgjidhja u gjet përmes votëbesimit.

"Morëm vesh se një akt papjekuri ekstreme Azem Hajdarin e kishin shkarkuar nga detyra e komisionit nismëtar, si kryetar dhe si e zgjidhëm? Me votim. Mblodhëm ët gjithë kryetarët, sekretarët dhe shkuam në votëbesim, edhe kësaj here vota juaj është ilaçi," tha Berisha.

Ish-kryedemokrati, Berisha akuzoi edhe një herë Bashën për bashkëpunim me Ramën.

"Del një ditë kryetari i opozitës, ish-kryetari i opozitës dhe zotohet se do ndryshojë Kushtetutën. Po ku i ke votat ti për të ndryshuar Kushtetutën? Ku janë votat? Ti ke 44 vota. Para dy ditësh Edi Rama krijon grupin për ndryshimin e Kushtetutës, pra kjo është gjuhë kodi, thuaje ti që të të ndjek unë se është e imja. Po çfarë do ndryshosh ti Kushtetutën kur s'ke vota," tha Berisha.

Berisha ka shigjetuar Ramën nga Fieri, duke thënë se ka marrë peng Bashën për të shkatërruar PD-në

"Sot duke marrë peng kreun e opozitës Edi Rama i futi një thikë pas shpine PD-së me dorën e pengut të tij, Lulzim Basha," tha Berisha.

Për ish-kryeministrin Berisha flirtimi mes RAmës dhe Bashës ka nisur gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa vuri në pah se LSI-ja filloi të anashkalohej pikërisht në atë çast.

Sipas Berishës ky anashkalim i LSI-së nga Basha me dakordësi të Ramës, solli edhe humbjen e opozitës në zgjedhje.