"Rama nuk ka frikë se s'ka pasur askënd përballë", Goci: Qëndrimi i opozitës "marrëveshje e heshtur"
Pedagogu Ervin Goci në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News u shpreh se ngjarjet nuk ndodhin kur manifestohen, por ndodhin më parë, duke iu referuar situatës dhe krizës së brendshme brenda PD-së.
Goci: "Ngjarjet nuk ndodhin kur ndodhin, ngjarjet ndodhin më parë thjesht manifestohen në një moment të caktuar. Ajo që ne po shohim sot ka ndodhur me kohë në PD, thjesht shpërtheu tani. Pakënaqësitë që kanë qenë , një fushatë e bërë bazuar totalisht te lideri është ajo që ne kemi parë. Kjo mund të vlejë kur je në pushtet dhe mund të kënaqësh shumë, por nuk vlen kur je në opozitë. "
I pyetur nga gazetarja Matilda Mcini nëse e ç'fokuson problematika brenda PD-së vëmendjen nga problemet e tjera dhe i jep një lloj avantazhi Ramës Goci hodhi dyshimet e veta për një marrëveshje të fshehtë.
Ai u shpreh se qëndrimi i opozitës përballë pushtetit i cili ka bërë çfarë ka dashur mund të jetë një marrëveshje që opozita të shijojë disa nga të mirat që prodhon pushteti.
Goci: "PD-ja formalisht ka qenë në rregull, nuk di të ketë pasur ndonjë problem. Funksiononte me ato forumet, me atë hierarki. Kur ka funksionuar normalisht PD ka pasur ndonjë problem Rama? Është frenuar në ndonjë gjë? Do të thotë që përderisa ai nuk ka pasur frikë nga asgjë, s'ka pasur askënd përballë, do të thotë që kjo ka qenë një farsë e madhe që nuk e ka trembur fare pushtetin dhe pushteti ka vazhduar normalisht me një rutinë të paparë. Do të thotë që ata që kanë pasur përballë kanë qenë totalisht inekzistentë. Kam dyshimet e mia që kjo lloj qasje e opozitës përballë pushtetit ku pushteti ka bërë çfarë i ka dashur qejfi ndoshta ka qenë një lloj marrëveshjeje e heshtur për të gëzuar dhe ata disa të mira nga ato që prodhon pushteti." /OraNews/
