Lehtësimi i masave anticovid solli rritje të pagave, por u rrit edhe informaliteti

Lehtësimi i masave anti-Covid në tre muajt e pranverës, solli rritje të pagave. Më të larta ishin ato të nëpunësve shtetërore, ndërsa te privati më të paguarit janë menaxherët. Të dhenat e INSTAT dëshmojne se edhe në këtë periudhe pati rritje të informalitetit.

Një shqiptar paguhet sot mesatarisht 56 710 lekë, ose 2 500 lekë më shumë sesa një vit më parë.

Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se hyrja në fuqi nga 1 Janari e pagës së re minimale prej 30 mijë lekësh ka ndikuar në rritjen e rrogave në nivel kombëtar.

Duke ju refuar tremujorit të dytë të këtij viti, më të paguarit janë punonjësit në aktivitetet financiare e të sigurimit dhe ata të sektorit të informacionit dhe komunikacionit .

Krahasuar me të njëjte periudhë të vitit pandemik, paga mesatare bruto ne tregti, transport, hoteleri-turizem dhe shërbimi ushqimor kane rritjen më të madhe prej 9.2 %.

Ky përmirësim, lidhet me rigjallërimin e aktivitetit ekonomik per shkak te hapjes se vendit pavarësisht situatës së Covid.  

Në nivel më të ulet pagash, renditen aktiviteti i pasurive të paluajtshme, aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike dhe ato të shërbimeve administrative prej 0.7%.

Sipas statistikave zyrtare një punonjës në shtet sot paguhet mestarisht 68 196 lekë bruto, ose 4 807 lekë më shumë se viti i kaluar.

Ndërsa në privat paga masatare arrin 51 247, rreth 1 967 lekë më shumë se viti i kaluar.

Menaxherët rezultojnë më të mirëpaguarit, ndërsa më pak të paguar janë punëtorët e krahut. 

Të dhënat e institucionit zyrtar të statistikave tregojnë se edhe këtë tremujor te 2021, ekziston ende një informalitet i lartë si pasojë e taksimit progresiv, pasi ata që marrin rroga të larta paguajnë deri në 23 për qind taksë.