Në Shqipëri kostot e ndërtimit nuk ndryshojnë, por shtrenjtohen çmimet e apartamenteve
Në Shqipëri kostot për ndërtimin e pallateve dhe apartamenteve kanë mbetur thuajse të pandryshuara, por çmimet e apartamenteve ka njohur një rritje të fortë.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, edhe në tremujorin e dytë të vitit 2021, sipërmarrësit shpenzojnë 1.3 për qind më shumë për të ndërtuar një objekt. Faktorët kryesorë që kanë ndikuar janë shpenzimet për blerjen e materialeve dhe pagat e punonjësve me një shtesë prej 2% por edhe transporti me 1.4%.
Siç duket ky ndryshim nuk është në të njëjtën linjë me vlerën çmimet e apartamenteve, të cilat gjatë vitit 2020 sipas Bankës së Shqipërisë regjistruan një rritje me mbi 11%, mesatare kjo për të gjithë vendin, raporton Ora News.
Në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë ka rezultuar se çmimet e larta kanë ndikuar edhe tek ulja e shitjeve me rreth 39%, ndërsa apartamentet janë blerë më shumë nga shtetas që nuk jetojnë në Shqipëri.
Çmimi mesatar i një metri katror në qendër të kryeqytetit në fund të 6-mujorit të parë 2021 arriti në 1580 euro/m2 nga 1100 euro që ishin në vitin 2020.
Në zonën e unazës një vit më parë çmimi ishte 1050 euro për metër ndërsa aktualisht shkon në rreth 1200. Po ashtu në zonat periferike çmimi është rritur me 5 për qind.
Shtrenjtimi vjen në kohën kur oferta me apartamente është rritur ndjeshëm ndërsa pagat kanë mbetur të pandryshuara. Shpesh në raportet ndërkombëtare është nënvizuar se në sektorin e ndërtimeve po pastrohen paratë./OraNews/
