Tenderi i dyshimtë i OST, dy kompaninë me ofertat më të lira u nxorën nga gara

Operatori i Sistemit të Transmetimit ka zhvilluar së fundi një tender me probleme për blerjen e rrobave të punës për personelin. Dy nga tri kompanitë pjesëmarrëse që kishin paraqitur ofertat më të ulëta janë përjashtuar nga gara, ndërkohë që e vetmja kompani e mbetur në lojë, është kualifikuar vetëm pasi kreu i OST ka vendosur lehtësimin e kritereve, dy ditë pas hapjes së ofertave.

Ndërmarrjet shtetërore duket se nuk po i marrin në konsideratë thirrjet e kryeministrit Edi Rama për shmangien e praktikave korruptive me tenderat. Operatori i Sistemit të Transmetimit ka kryer së fundi një procedurë të dyshimtë për shkak të mënyrës se si është vepruar me përzgjedhjen e fituesit.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt blerjen e rrobave të punës me fond limit 33.5 milionë lekë, raporton OraNews.

Sipas të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike për kontratën kanë shfaqur interes 3 kompani, 2 prej të cilave u përjashtuan nga gara.

Të skualifikuara rezultojnë kompanitë që kishin paraqitur dhe ofertat më të ulëta ndërkohë që i vetmi subjekt në garë por edhe operatori që do i besohej më pas kontrata është Osman Sulo, me vlerën më të lartë të paraqitur prej 29.5 milionë lekësh.

Duke ju referuar dokumenteve, rezulton se kompania shtetërore OST e drejtuar nga Skerdi Drenova ka ndryshuar kriteret vetëm 2 ditë pas hapjes së procedurës, duke i lehtësuar ato.

Në fillim ky institucion kishte përcaktuar në kriteret e veçanta të kualifikimit se operatori ekonomik ofertues duhet te kishte realizuar xhiro mesatare vjetore, gjatë tre viteve të fundit në një vlerë të paktën prej 30 milionë lekësh.

Por që më pas është cilësuar se kompania duhet të kishte realizuar një xhiro minimale vjetore vetëm gjatë vitit të fundit.

Referuar të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Osman Sulo, i shpallur dhe fituesi i kontratës, nuk mund të plotësonte kriterin e mësipërm pasi rezulton i regjistruar në dhjetor të vitit 2020.

Drenova ka hequr gjithashtu nga kërkesat edhe paraqitjen e një vërtetimi nga dega e Tatim Taksave ose dega e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore në të cilin të jetë i përcaktuar numri i punonjësve të siguruar, shoqëruar me listë-pagesat përkatëse. /OraNews/