Deklarata e fortë e ekspertit: Ka kompani që deklarojnë zero likuiditet financiar, por ndërtojnë komplekse të mëdha

Sektori imobiliar shpeshherë është parë me skepticizëm por edhe me dyshim nga ana e qytetarëve. Ka një raport disniveli  të çmimit të rritur të shtëpive të kredituara, por nga ana tjetër pagave apo rritjes së pagave të qytetarëve. Eksperti i ekonomisë, Vjoldi Danaj i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini ka folur për situatën ekonomike në vend. 

I pyetur se çfarë impakti jep në ekonomi ky sektor, Danaj tha se  ka njohur rritje pavarësisht se faktorët e tjerë ekonomikë kanë pësuar rënie.

Gjatë fjalës së tij, Danaj tha se kjo ka bërë të mendohet se ky  lloj sektori ndikohet dhe përdoret për pastrimin e lekëve të pista, pra atyre parave që rrjedhin  nga rrugë jo ligjore.

Danaj: "Sektori imobiliar është një nga sektorët kyç të vendit, i cili ndryshe nga sektorët e tjerë po njeh një rritje në kundërshtim me të gjitha faktorët ekonomikë të vendit. Faktorët ekonomikë kanë shkuar drejt rënies dhe sidomos deri në gjysmën e këtij viti (2021), sektori imobiliar ka njohur të kundërtën, pra ka vazhduar të rritet. Ky ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka bërë të mendohet se ky lloj sektori ndikohet dhe përdoret për pastrimin e lekëve të pista, pra atyre parave që rrjedhin  nga rrugë jo ligjore. Ekonomia reale nuk mund të përballojë gjithë këtë rritje të çmimeve të sektorit imobiliar. Nëse kemi një rrogë mesatare 400-450 euro do të shikojmë se metri katror i një banese shkon mbi 1000 euro. Shikojmë që është dyfishi i pagës mesatare.  

Ky lloj tregu mendohet se do kthehet më vonë si një problem për ekonominë e tregut. Flitet që rreth 33% e ekonomisë tonë është jo formale dhe nga këtu diku te 70% është nga sektori imobiliar. Nëse verifikohen këto studime, vendi ynë është e paevitueshme që do të shkojë drejt një aksi ekonomik sepse ne nuk kem fuqi ekonomike që t'i përballojmë goditje të këtilla.  Nëse nuk ndërhyhet, pasojat do të jenë vërtet shumë të rënda. Gjëja e parë është duhet të kontrollohet tregu, duhet të verifikohet burimi i të ardhurave të gjithë ndërtesave që po ndërtohen sepse kemi kompani që deklarojnë zero likuiditet financiar, por ndërtojnë komplekse të mëdha. Kemi individë që zotërojnë 3-4 shtëpi dhe këtu nuk ka një regjistër nga shteti. Në momentin që shteti do ndërhyjë do bëjë që të ulet çmimi dhe do bëjë që të kemi një rritje të konsumit. Kjo do ndikojë dhe në pasjen e ekonomisë reale."

Intervistoi Matlida Mcini, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku