“OST, kritere diskriminuese”, kontestohet tenderi 136 mln lekë për lidhjen 110 KV “Qendër-Tirana 1”
Përfundon në Komisionin e Prokurimit Publik tenderi prej 136 milionë lekësh i OST per ndërtimin e lidhjes kabllore 110 kilovatesh “Qendër-Tirana 1” . Një nga kompanitë e interesuara ka ankimuar çështjen duke akuzuar ndërmarrjen e drejtuar nga Skerdi Drenova, se ka vendosur kritere selektive që cënojnë garën.
Kritere të cilësuara diskriminuese dhe përcaktimi i tyre në favor të disa subjekteve, kanë dërguar në Komisionin e Prokurimit Publik një tender të zhvilluar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.
Procedura ka të bëjë me ndërtimin e lidhjes kabllore 110 KV Qendër-Tirana 1 me një vlerë prej 136 milionë lekësh dhe data kur do të hapeshin ofertat rezulton 31 gushti.
Por para mbylljes së afatit për dorëzimin e ofertave, janë ndeshur pakënaqësi ne lidhje me kërkesat e OST dhe një prej kompanive që kishte interes për kontratën e ka dërguar çështjen per ankimim në KPP.
“Aci Engineering shpk” pretendon se ndërmarrja e drejtuar nga Skerdi Drenova ka përfshirë në kriteret e veta edhe pajisje që janë të panevojshme dhe nuk mund të përdoren në projekt dhe ka hequr të tjera që nevojiten.
Ky subjekt ngre gjithashtu shqetësimin se ka kërkesa nga ana e OST-së, që përveç se janë diskriminuese, janë dhe të parealizueshme.
“Pra, na rezulton që ky kriter për Autorizim Prodhuesi të jetë diskriminues pasi i dërgon të gjithë operatorët ekonomikë në vetëm 1 prodhues. Përveçse diskriminues, për mendimin tonë, ky kusht është edhe praktikisht i parealizueshëm.”
Sipas ankimuesit, disa kërkesa për kualifikim të bëra nga institucioni që Drenova drejton janë të paqarta dhe nuk kanë lidhje me qëllimin e tenderit që po zhvillohet.
“Aci Engineering shpk” i kërkon entit prokurues të rishikojë këto kritere në mënyrë që të shmangen problematikat në zbatimin e projektit.
Tani pritet që Komisioni i Prokurimit Publik të japë verdiktin në lidhje me pretendimet e ankimuesit.

