Përfundon ndërtimi i “Nord Stream 2”, Rusia eksportuese kryesore gazi në Europë, shqetësim te Ukraina

Që nga kjo e premte, Moska do të jetë eksportuesi më i madh i gazit në Europë. Këtë të premte përfundoi gazsjellësi i shumëdebatuar “Nord Stream 2”, që do të eksportojë rreth 55 miliard metër kub gaz në Europë. Gjermania e ka cilësuar projekt tregëtar, ndërkohë që Ukraina druhet se gazsjellësi mund të përdoret si “armë gjeopolitike”.

Gjiganti energjitik rus “Gazprom” njoftoi këtë të premte përfundimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”.

Me anë të këtij gazsjellësi, rusët do të furnizojnë Gjermaninë me gaz të lëngshëm. Projekti është kundërshtuar më herët nga aleatët amerikanë me arsyetimin se rusët do ta përdorin si armë politike këtë tubacion.

Ka qenë edhe Polonia e Ukrania të cilat e kanë kundërshtuar këtë projekt. Ukraina është në konflikt me Rusinë që nga aneksimi i Krimesë nga Moska në vitin 2014 dhe ka paralajmëruar shpeshherë se ky gazsjellës  mund të përdoret nga Moska si një mjet presioni gjeopolitik, ndërsa vetë presidenti Volodymyr Zelensky muajin e kaluar e përshkroi tubacionin si "një armë të rrezikshme gjeopolitike". Edhe Polonia ndan të njëjtëin shqetësim si Ukraina.

Të tre presidentët amerikanë Barack Obama, Donald Trump dhe Joe Biden e kanë kundërshtuar projektin, duke thënë se është një marrëveshje e keqe për Evropën dhe rrezik për sigurinë e saj. Ka pasur gjithashtu edhe sanksione amerikane ndaj anijeve ruse që montonin tubacionin.

Së fundmi, do të ishte një vizitë mes kancelares Merkel dhe presidentit amerikan Biden që do t’i jepte udhë zgjidhjes së kësaj mosmarrëveshjeje. Bideni, i etur për të rindërtuar lidhjet transatlantike me Europën, të tensionuara nga paraardhësi i tij Trump, hoqi dorë nga sanksionet.

Rusia dhe Gjermania ndërkohë këmbëngulin se "Nord Stream 2" është veçcse një projekt tregtar.

Kancelarja Merkel ka siguruar krerët e vendeve dyshuese se gazsjellësi nuk do të përdoret si armë gjeopolitike ndaj Ukrainës apo vendeve të tjera.

Tubacioni i ri “Nord Stream 2” do të transportojë 55 miliardë metra kub gaz në vit nga Rusia drejt Europës.