"Fiskalizimi risk i madh për bizneset e vogla” Nasto: Pas kasës së re fshihen gjoba të majme
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin 'Ditë e Re' në Rtv Ora, kreu i shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasto i bën thirrje qeverisë të shtyjë në një afat të pacaktuar reformën e fiskalizimit.
I shqetësuar për të ardhmen e ekonomisë dhe bizneseve, ai pohon se bizneset e vogla dhe të mesme nuk kanë kapacitetin as arsimin për të përballuar sistemin e ri të fiskalizimit.
"Fiskalizimi është një proces shumë i vështirë shumë i pakuptueshëm, do rëndojë biznesin në anën finaciare. Është një nga sistemet më të reja në botë, biznesi i vogël, që nuk ka arsimin që të punojë me fiskalizimin. Kështu që detyrohemi të marrim një të arsimuar e ta punësojnë", thotë Albert Nasro.
Ai shpjegon se sistemi i ri përfshin 9 elementë të cilët duhet t'i ketë çdo biznes
"Janë 9 elementë, kompjuteri, printeri, usb, softweri, antiviruisi, interneti, certifikata e dixhitalizuar dhe kostoja e mirëmbajtjes. Pra nuk është vetëm një kasë fiskale. Çdo biznes duhet t'i ketë se s'bën këto elemente, sepse ndryshe biznesi nuk hyn në sistem", thotë Nasto.
Nasto tregon se kjo është hera e katërt që bizneset detyrohen të ndryshojnë kasat fiskale dhe se kasat e vjetra janë jofunksionale për reformën e re të fiskalizimt.
"Nuk jemi në gjendje ta përballojmë, do jetë një risk i madh për gjoba të majme. Gjobat do falimentojnë me mijëra dhe mijëra biznese. Qeveria shqiptare duhet ta shtyjë në afat të pacaktuar këtë reformë të rëndësishme për biznesin, sepse jemi në kohë pandemie."
Kreu i Shoqatës për biznesin e vogël ka një apel për qeverinë
"Bëj thirrje serioze për qeverinë shqiptare që të shtyjë reformën e fiskalizimit, sepse nuk kemi dalë akoma nga pandemia, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë nesër dhe pasnesër", shprehet Nasto.
Emisioni Ditë e Re nisi sezonin televiziv ditën e djeshme ( 6 shtator) në ekranin e Rtv Ora. Na ndiqni çdo ditë nga e hënë në të premte, ora 07:00 deri 10:00.


