Biznesit i humb besimi, Dhoma Amerikane publikon raportin: Sërish rënie, shkak reformat

Dhoma Amerikane në Shqipëri ka publikuar dhe një tjetër raport kritik për Shqipërinë. Nga sondazhi i bërë në biznese rezulton se indeksi i besimit ka rënë me 0.5 për qind shifër që vjen fill pas të dhënave për vitin 2019 kur rënia e besimit ishte 5%.

Faktorët kryesorë që kanë ndikuar janë pandemia Covid-19, përmirësimi i pakët i treguesve ekonomikë dhe reformat e lidhura me investimet.

Në këtë indeks del më së shumti në pah nevoja për një ndryshim më të fortë të politikave në reformat e klimës së investimeve.

I njëjti perceptim është dhe për investimet, kërkesën për mallra dhe shërbime, shkëmbimet tregtare dhe punësimin.

Niveli i taksave përbën një shqetësim dhe vlerësohet si jokonkurrues në rajon. 59% e të anketuarve e vlerësojnë si të pafavorshëm nivelin aktual të taksave.

Gjetja e stafit të kualifikuar mbetet një sfidë e rëndësishme për biznesin edhe pse ka një përmirësim në krahasim me një vit më parë me vit 6.31 pikë.

Perceptimet për situatën politike dhe rendin e sigurinë në vend kanë një përmirësim krahasuar me vitin e kaluar, duke sjellë një efekt pozitiv me 7.69 dhe 5.7 pikë.

Kanë shënuar përmirësim dhe vlerësimi për nivelin e korrupsionit me 3 pikë, monopoli dhe konkurrenca e padrejtë me 6.02 pikë, burokracia qeveritare me 1.74 pikë dhe zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve me 1.16 pikë.

Raporti tregon përmirësime në marrëdhëniet me disa nga institucionet më të rëndësishme publike dhe autoritetet qeveritare.

Në fund të raportit thuhet se Shqipëria është një vend potencial për investime në të ardhmen, por reformat janë të nevojshme për të pasur progres.