Tenderi i "Unazës së Madhe'', kompania fituese nuk do të jetë ajo që i kursen shtetit më shumë para

Kompanitë që do të fitojnë 7 tenderat e Unazës së Madhe nuk do të jenë ato që do t'i kursejnë më shumë para buxhetit të shtetit.

Sipas dokumenteve zyrtare fondi prej 130 milionë eurosh do të ndahet te subjektet që plotësojnë kriteret  e vendosura nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Pavarësisht problematikave dhe përplasjeve për këtë çështje, apo thirrjeve të kryeministrit Edi Rama për shmangien e procedurave të tilla, në 7 lotet kjo praktikë nuk ka ndryshuar.

Në dosjen zyrtare citohet se fituesi nuk do të përzgjidhet në bazë të ofertës më të ulët, por do t’i jepet kompanisë që do të marrë pikët më të larta.

Kompania që ofron çmimin më të ulët do të vlerësohet me 50 pikë ndërkohë që në procedurat e tjera ky është kriteri mes së cilit përzgjidhet kompania fituese, raporton Ora News.

Institucioni i drejtuar nga Evis Berberi do të vlerësojë me 20 pikë operatorin që përmes grafikut do të detajojë se kur do të përfundojë realizimi i punimeve.

Me 15 pikë vlerësohet numri i stafit dhe eksperienca, pikë e kritikuar pasi shpesh kërkohen licensa që i ka vetëm një subjekt dhe me 10 pikë punësimi në zonë dhe ndikimi social që konsiderohen terma relativë.

Por kujtojmë këtu se duke qenë një tender ndërkombëtar, kompanitë e huaja mund të hasin vështirësi në plotësimin e këtij kushti.

Kërkesa më pak e vlerësuar do të jetë garancia për punimet me vetëm 5 pikë, e cila duhet të jetë e vlefshme jo më pak se dy vjet, raporton Ora News.

Burimet bëjnë me dije se kjo mënyrë vlerësimi ka sjellë pakënaqësi edhe tek kompanitë e interesuara, të cilët përveçse i kërkojnë sqarim Berberit, e kanë çuar çështjen edhe në SPAK dhe në departamentin e antikorrupsionit.

Për këtë, subjektet ankimuese akuzojnë se e gjithë kjo bëhet me qëllim që kontrata të nënshkruhet mes ARRSH-së dhe fituesit që sipas tyre është paracaktuar.

/OraNews/