Biznesi amerikan në Shqipëri: Bashkëpunimi me qeverinë dhe parlamentin e ri, kritike për një faqe të re
Shqipëria ka ende sfida të mëdha për të kapërcyer me klimën e biznesit. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, në një reagim pas publikimit të Indeksit Vjetor për vitin 2020-2021, ku regjistrohet përsëri një rënie me 0.5 për qind e besimit të biznesit në Shqipëri, thotë se bashkëpunimi me Qeverinë e re dhe Parlamentin e ri është kritike për një faqe të re në mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri.
Jaço thotë se rezultatet e Indeksit të Biznesit për vitin 2021 janë matës real që tregojnë se Shqipëria, ka ende sfida të mëdha për të kapërcyer me klimën e biznesit.
"Rritja me 71% e anëtarëve që morën pjesë në Index, më e larta që në krijimin e saj, tregon për rëndësinë që bizneset i japin terrenit ku ata operojnë dhe rregullave të lojës. Por rënia me 0.5 pikë nga një vit më parë dhe rënia në nivelin më të ulët që në fillimin e Indexit 9 vjet më parë dëshmon peshën e fenomeneve gërryese që vijojnë të mbajnë peng vendin drejt një përparimi më të shpejtë".
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë nënvizon se dinamika e zhvillimeve por edhe perspektivës europiane që Shqipëria synon, nuk lë më kohë për reflektim, por nxit rëndësinë e një aksioni të përbashkët.
"Në kthimin e besimit tek bizneset, duhet së pari, dialog dhe bashkëpunim konstruktiv me përgjegjësi të lartë. Dhoma Amerikane ka pritshmërinë e dialogut dhe gjetjes së mekanizmave te bashkëpunimit me Qeverinë e re dhe Parlamentin e ri për të krijuar një faqe të re në mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri".
Ky është niveli më i ulët i Indeksit të Besimit që nga viti 2012, kur nisi kjo matje e përvitshme e cilësisë së klimës së bizmesit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë për anëtarët e saj, aktualisht 220 kompani vendase dhe shumëkombëshe.
Klima e përgjithshme e biznesit në Shqipëri mbetet e pafavorshme. Më shumë se 71 për qind e anëtarëve të Dhomës Amerikane e vlerësojnë klimën e biznesit në Shqipëri si të pafavorshme, vetëm 9 për qind e vlerësojnë si pozitive dhe 20 për qind si neutrale.
Sipas studimit, performanca e ekonomisë shqiptare ka rënë me 5 pikë, 80 për qind e të anketuarve deklaruan se performanca e ekonomisë shqiptare ka rënë gjatë vitit 2020.
Ata kanë të njëjtin perceptim për rënien edhe sa u takon punësimit, investimeve, shkëmbimeve tregtare.
Niveli i taksave përbën një shqetësim dhe vlerësohet si jokonkurrues në rajon.
Afro 60 për qind e të anketuarve e vlerësojnë si të pafavorshëm nivelin aktual të taksave.
