"Preke, shikoje dhe lëvize", ja si të identifikoni falsifikimin e parave të reja
Falsifikatorët kanë arritur të falsifikojnë prerjet e reja të kartmonedhave pavarësisht elementëve shtesë të sigurisë. Situata po analizohet edhe nga Banka e Shqipërisë, ndërkohë që përgjegjësi i Qendrës Kombëtare të Analizës në këtë institucion theksoi se manipulimi i këtyre prerjeve edhe nëse ndodh është i dallueshëm. Për këtë arsye ai nxiti qytetarët të bëjnë kujdes dhe të denoncojnë çdo rast në polici.
Falsifikimi i kartomonedhave dhe kryesisht atyre të cilët kanë dalë së fundi në përdorim është kthyer në një fenomen shqetësues.
Aranit Bajri, përgjegjës i Qendrës Kombëtare të Analizës në Bankën e Shqipërisë thotë për Ora Neës se falsifikimi i këtyre kartëmonedhave janë dukshëm amatoreske, çka mund të dallohen lehtësisht.
"Mund të kemi raste të tilla që kartëmonedha është tentuar të falsifikohet, në rastin konkret edhe kartëmonedha 5 mijë lekëshe, seria e re, por ne nuk shohim ndonjë shqetësim sa i përket imitimit apo cilësisë së falsifikimit pasi një kartëmonedhë sado e sofistikuar të jetë në lidhje me elementët e sigurisë të integruar në të ajo do të tentohet për tu falsifikuar. Deri tani nga analiza jonë nuk na rezulton që këto falsifikime të jenë cilësore por janë ordinere, të zakonshme."
Bajri tregon edhe mënyrën si mund të identifikohen kartëmonedhat e falsifikuara.
"Publikut i rekomandojmë: Preke kartëmonedhën, shikoje dhe lëvize. Këto janë metoda që identifikojnë elementët e sigurisë për publikun në kartëmonedhën shqiptare".
Dy ditë më parë policia e Shkodrës arrestoi Kujtim Cumrakun, i cili gjatë kontrollit u kap duke lëvizur më një shumë të konsiderushme parash, të cilat pas verifikimeve rezultoi se një pjese e tyre ishin të falsifikuara.
Po ashtu policia e shtetit vijon kontrollet pas denoncimeve të bëra nga shitës të ndryshëm.
Që nga fillimi i vitit, 95 persona kanë përfunduar në pranga për vepren penale të falsifikimit të monedhave.

