Fillon faza e tretë e fiskalizimit, 86 mijë subjekte duhet të ndryshojnë dokumentacionin tatimor
Administrata tatimore ka nisur nga 1 shtatori fazën e tretë të fiskalizimit për transaksionet Biznes-Konsumator. 86 mijë biznese duhet të lëshojnë fatura të fiskalizuara për çdo shitje. Ministrja e Financave, Anila Denaj, ka apeluar sipërmarrësit të aplikojnë në e-Albania për certifikatën elektronike që është edhe hapi i parë i fiskalizimit.
Nga 1 shtatori ka nisur faza e tretë dhe e fundit e procesit të fiskalizimit.
Në këtë fazë do të përfshihen bizneset që kryejnë transaksione me para në dorë me konsumatorin, të cilët do të marrin në dorë faturë me vulën ose barkodin e fiskalizimit.
Ministrja e Financave, Anila Denaj, njoftoi se për ta lehtësuar procesin e lëshimit të faturës elektronike, subjektet mund të përdorin pa pagesë portalin Self-Care, si një zgjidhje e thjeshtuar dhe e kuptueshme.
“Sjellim në vëmendje se për të kryer procesin e fiskalizimit, certifikata elektronike është një nga elementët e nevojshëm dhe nëse nuk jeni pajisur me të mund të aplikoni nëpërmjet portalit e-Abania.”
Ky proces konsiderohet edhe si më i vështiri dhe delikati për shkak të numrit të lartë të subjekteve që kanë detyrimin të fiskalizohen.
Sipas të dhënave zyrtare të Tatimeve, në total janë 120 mijë tatimpagues që kanë detyrimin të fiskalizohen, nga të cilët 34 mijë duhet të kishin filluar që në fazën e dytë dhe 86 mijë në fazën e tretë.
Dokumentacioni tatimor ekzistues nuk do pranohet më nga tatimet që pas 31 gushtit pavarësisht kërkesave të sipërmarrjeve për të vijuar me përdorimin e faturave që aktualisht operojnë.
Tatimet kanë ngritur grupe punonjësish, të cilët do të vizitojnë subjektet në mjediset ku ushtrojnë aktivitetin, për t’ju ofruar informimin dhe asistencën ndaj tatimpaguesit për fiskalizimin.
Sipas të dhënave zyrtare deri tani janë pajisur më shumë se 53 mijë subjekte me certifikatë elektronike, që është hapi i parë për të zbatuar procesin.
Ajo lëshohet nga AKSHI dhe ka një kosto vjetore prej 4 mijë lekësh që duhet të paguhen në bankë.

