Monopol në Agjencinë e Blerjeve: Vetëm 2 kompani kanë të drejtë të furnizojnë me tendera

Prej muajsh denoncimet për tenderat me kritere që sjellin dhe fituesin e paracaktuar vijojnë të jenë të shumta, por reagimet thuajse nuk ekzistojnë.

 Një nga rastet është dhe blerja e tonerave të printerëve, të cilat janë kthyer në monopol.

Për shkak se nuk ka pasur hetime dhe masa kompanitë e interesuara janë detyruar t’i drejtohen edhe autoritetit të konkurrencës.

Sipas argumenteve në prokurim kërkohet autorizim nga prodhuesi çka i jep të drejtën vetëm dy kompanive, ITD SHPK dhe BNT SHPK, raporton Ora News. 

Në ankesë thuhet dhe se çmimi i ofruar prej tyre është më i lartë se çmimi i produktit të importuar dhe asnjë prej tyre nuk ka praktikë furnizimi nga distributorët.

Pas shqyrtimit të dosjeve Autoriteti i Konkurrencës ka arritur në konkluzionin se ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore kanë vendosur kushte të pabarabarta konkurrence.

Ndaj i kërkohet Agjencisë së Prokurimeve Publike të ndryshojë situatën.

Sipas dokumenteve është Agjencia e Blerjeve të Përqendruara për administratën publike që ka realizuar rreth 40% të volumit të shitjeve të këtyre produkteve, raporton Ora News.

Por çështja ka përfunduar më parë edhe në Gjykatën e Lartë, e cila me një vendim të vitit 2015 është shprehur se paraqitja e formës së autorizimit nga prodhuesi nuk plotëson kushtet për të qenë një kriter specifik kualifikues.

Kolegji argumenton se vërtetimi i origjinalitetit të bojërave mund të garantohet me pajisjen e tyre me vulën e origjinalitetit  të pahapur, por pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë autoriteti kontraktor ka vazhduar të aplikojë një kriter të tillë në procedurat e tenderimit, ndërsa asnjë prokurori nuk ka denjuar që të hetojë situatën.

Madje më datë 24 shkurt Agjencia ka publikuar në sistemin e prokurimeve procedurën e prokurimit me objekt ‘Blerje tonera për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit’ me fond 4.9 milionë lekë pa TVSH.

Komisioni i Prokurimit Publik ka argumentuar se kriteri është në përputhje me dispozitat ligjore dhe nuk ka kufizuar konkurrencën.

Madje dhe në datën 3 shtator KPP ka vendosur të anulojë tenderin për furnizimin e Gjykatës së Vlorës pikërisht për shkak të kritereve të vendosura.