Rritet papunësia në Shqipëri
Raporti i INSTAT për tremujorin e parë 2021, evidenton rritjen se shkallës së papunësisë në Shqipëri. Ky tregues ka arritur në rreth 12 përqind për popullsinë mbi 15 vjeç. Ekspertët e punësimit thonë se inventarizimi i nevojave të tregut të punës duhet të jetë prioritet i qeverisë, pasi ka kërkesë për ekspertë të specializuar në fushat profesionale. Nga ana tjetër qytetarët shprehen se pagesat e ulëta ndikojnë në rënien e dëshirës së të rinjve për të punuar.
Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri ka shënuar një rritje me 0.5 për qind për popullsinë mbi 15 vjeç, Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, niveli i këtij treguesi ka arritur në 11,9 %.
Eksperti i punësimit, Erion Muça, thotë se krahas pandemisë, një faktor tjetër që ka ndikuar në këtë tregues është edhe tërheqja e tregut të punës në përgjithësi nga zgjerimi i stafeve.
Erion Muça: "Në periudhë pasigurie dhe problematikash dhe mungesa e stabilitetit ka një interes të kompanive apo bizneseve private për t'u tërhequr."
Inventarizimi i nevojave të tregut të punës shihet si element kryesor në rritjen e punësimit.
Erion Muça: "Në këtë inventarizim ne kemi mundësi të identifikojmë nevojat që ka tregu momentalisht apo që do të ketë në 5-6 vitet e ardhshme me qëllim që ne të fillojmë ndërhyrjen që në klasën e nëntë."
Sipas specialistit, hartimi i politikave strategjike për punësim dhe motivimi i të rinjve duhet të jenë prioritet i qeverisë.
Erion Muça: "Duke pasur një kosto të lartë, duke i trajnuar derisa të fitojë për 6 muaj apo 1 vit pavarësinë e nevojshme për t'i bërë punën."
Por qytetarët mendojnë se pagat e ulëta ndikojnë në rënien e numrit të të punësuarve tek moshat e reja.
Ata theksojnë se ky element ndikon kryesisht në largimin jashtë vendit apo preferencën e të rinjve për të qenë pasiv në tregun e punës, raporton OraNews.
"Është interesimi i pakët dhe pagesa jokorrekte në ato vende që hapen. Një kamarier me 150 mijë leke s'ka pse i vjen vërdallë gjithë ditën me tabaka sepse nuk ia vlen."
"Faji është i shtetit sepse nuk hapen vende pune. Nëse hapen kufijtë të gjithë shqiptarët ikin."
"Punë ka, por kemi shumë dembelë."
Pavarësisht ankesave për vështirësitë në tregun e punës, kompani të ndryshme evidentojnë vështirësinë për rekrutimin e profesionistëve apo personave të specializuar ndërsa nga ana tjetër moshat e reja frekuentojnë masivisht baret dhe qendrat e argëtimit duke shpenzuar një pjesë të mirë të kohës aty. /OraNews/
