Tenderi: 303 mln lekë për rikontruksionin e godinës së Policisë Dibër, fitoi kompania që paraqiti një nga dy ofertat më të larta

Ministria e Brendshme kapet me një tjetër tender abuzimi. Bëhet fjalë për fondin limit prej 303.4 milionë lekë me të cilat do të rikonstruktohet godina e Drejtorisë dhe komisariatit të Dibrës. Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i janë paraqitur 6 operatorë, 5 u skualifikuan ndërsa “Hastoçi shpk” lidhi kontratën me ofertën 299.5 milionë lekë. Komisioni i Prokurimit Publik  ka zbuluar shkeljen.

Drejtoria e Policisë së Shtetit ka shpallur fitues të tenderit për rikonstruksionin e objekteve të Drejtorisë dhe Komisariatit të policisë Dibër me fond limit 303.4 milionë lekë, kompaninë që paraqiti një nga dy ofertat më të larta.

Edhe ky prokurim ka përfunduar në dyert e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, teksa vihet re se subjektet që dhanë çmim më të lirë u përjashtuan nga gara me argumentin e kritereve.

Sipas të dhënave në APP, kërkesës së institucionit të drejtuar nga Ardi Veliu i janë përgjigjur 6 operatorë.

Por 5 prej tyre janë skualifikuar, 2 sepse nuk kishin paraqitur ofertë, ndërsa 3 të tjerë sepse nuk plotësonin kriteret e kërkuara, mes të cilëve edhe 2 oferta më të ulëta se fituesi.

Në këtë mënyrë i vetmi në garë ka mbetur subjekti "Hastoçi shpk" me ofertën 299.5 milionë lekë që më pas ka arritur të sigurojë dhe kontratën.

Vlerësimi i dhënë nga autoriteti kontraktor ka sjellë pakënaqësi te një prej kompanive pjesëmarrëse, që kishte paraqitur vlerën më të ulët për kontratën, me një shumë prej 250.2 milionë lekësh, ka ankimuar procesin.

Pavarësi pretendimeve se operatorët kishin realizuar investime në vlerën që kërkohej Komisioni i Prokurimit Publik, ka hedhur poshtë pretendimet.

Në këtë mënyrë, sërish institucionet kanë miratuar një tjetër tender ku fituesi është një nga ofertat më të larta, duke shkaktuar dëme në buxhetin e shtetit.

Rreth një muaj më parë SPAK vuri në pranga 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për tenderin e uniformave të policisë. Por duket se kjo nismë nuk ka mundur të frenojnë të tjera procedura të dyshimta në këtë institucion.

Një tjetër kallëzim për 5 funksionarë të policisë është bërë nga KLSH pasi akuzohen se rritën kostot e ndërtimit të disa godinave.