Paralajmërimi për tenderat, APP: Të shmanget favorizimi apo diskriminimi i kompanive të caktuara

Institucionet shtetërore nuk duhet të ndryshojnë kushtet e kontratave pas përzgjedhjes së kompanive fituese në tendera. Udhëzimi më i fundit i APP-së thekson se një gjë e tillë mund të ndodh vetëm nëse kompanitë ofrojnë me të njëjtin çmim kushte më të mira se ato të tenderuara. Ndërkohë paralajmërimi vjen për shkak të favorizimit apo diskriminimit të subjekteve të caktuara me anë të formulimit të kontratave.

Agjencia e Prokurimit Publik ka paralajmëruar institucionet që të bëjnë kujdes me kushtet e kontratave që nënshkruajnë me subjektet fituese të tenderave.

Sipas udhëzimit më të fundit të APP, paralajmërimi vjen për shkak të konstatimit të disa raste kur autoritetet kontraktore kanë parashikuar të tjera kushte në kontratë, nga ato të parashikuara në garat tenderuese.

Ndaj në dokumenta specifikohet se përjashtime në këtë drejtim mund të bëhen vetëm në rastet kur kompanitë fituese, me të njëjtin çmim ofrojnë kushte më të mira se ato të tenderuara.

APP kërkon gjithashtu që pas çdo procedure të realizuar të hartohet edhe një plan zbatimi për kontratën.

Në këtë plan do të përfshihen çështjet organizative, afatet e përcaktuara, çështjet ekonomike,kushtet specifike teknike apo personat përgjegjës për ndjekjen e zbatimit të kontratës.

Udhëzimi kërkon që të parashikohen edhe afatet për administrimin e kërkesave për ndryshime, modifikime apo përshtatje të zbatimit të kontratës dhe miratimin nga strukturat përkatëse.

Kriteret e vendosura nga institucionet në tendera kanë sjellë shpesh përplasje mes kompanive dhe autoriteteve kontraktore dhe në shumë raste janë konstatuar edhe kritere diskriminuese që cënojnë pjesëmarrjen në garë të kompanive të caktuara.

Ndërkohë që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar krijimin e një standardi të vetëm kriteresh për prokurime që kanë të njëjtin objekt në mënyrë që të mos krijohet diskriminim i kompanive që përzgjidhen fituese, por edhe për të zvogëluar hapësirat për abuzime të mundshme.