Afera me vijëzimin e rrugëve, KPP i kthen mbrapsht tenderin Tirana parking: Ka kritere të qëllimshme
Tirana parking zbulohet sërisht me kritere të qëllimshme në tenderat e zhvilluara. Prokurimi për vijëzimin e rrugëve është kthyer mbrapsht për shkak të akuzave dhe paraqitjes së dokumenteve përmes së cilëve fituesi vendosej paraprakisht. Sërish licencat dhe makineritë që i disponon vetëm një kompani bëhen shkas për eliminimin e konkurrencës së ndershme.
Një tjetër tender është konsideruar problematik në Tirana parking, institucion në varësi së bashkisë së Tiranës.
Bëhet fjalë për vijëzimin e vendosjen e tabelave me një fond prej 5.9 milionë lekë të reja.
Ende pa nisur gara, një prej subjekteve të interesuara ka paraqitur ankesë te autoriteti që hapi garën por dhe në Komisionin e Prokurimit Publik.
Por ndërsa institucioni në varësi të Erion Veliajt nuk e ka marrë parasysh ankesën e bërë për vendosjen e kritereve të qëllimshme që sillnin detyrimisht dhe fituesin e paravendosur, KPP ka shqyrtuar në themel dosjen.
Madje duke nënvizuar se Tirana parking nuk ka marrë në shqyrtim dokumentet edhe pse e ka detyrim ligjor.
Ndër të tjera kompania ankimuese veçon specifikimin e licencave që nuk janë të nevojshme për këtë projekt, por dhe të makinerive që nuk i shërbejnë objektit të tenderit.
Ndaj ankimuesi argumenton se në këtë mënyrë eleminohet automatikisht konkurrenca e drejtë, çka i ka bërë të mendojnë se fituesi është i paracaktuar.
Madje në një moment specifikimet kanë qenë tejet të dyshimta, sa mungonte vetëm emri i markës së mjetit që kërkohej, të cilin duket se e ka vetëm një kompani.
Në një material të gjatë dhe me specifikime teknike edhe vetë KPP ka zbërthyer detyrimet ligjore, duke saktësuar se ligji kërkon kritere që sigurojnë që kompania ka kapacitetet teknike dhe financiare për të realizuar në kohë punimet.
Ndaj në përfundim Tirana parking i është kërkuar që të rishikojë edhe një herë brenda 10 ditëve të gjitha kriteret që janë vendosur në kundërshtim me ligjin, duke bërë kështu që gara të jetë më e hapur.
Edhe më herët KPP ka ngritur shqetësimin për kriteret e çuditshme, ndërsa kryeministri Rama ka deklaruar se do të dërgojë në SPAK çdo dosje të dyshimtë, megjithatë deri më tani ende nuk ka as denoncime dhe as hetime.

