Ndoka: Basha pika më kritike e opozitës, është i paqartë, ka bërë shumë gabime, të mos përsëriten më

Në një intervistë për RTV Ora, kreu i demokristianëve, Nard Ndoka u shpreh se opozita është e pa organizuar sepse lideri i saj nuk është i qartë me axhendën politike se si do të përballet me këtë realitet politik.

Ndoka tha se opozita ka marrë edhe vendime që kanë rezultuar të gabuara dhe është shumë e rëndësishme që të mos i përsëriten këto gabime.

Ndoka: Rama ka një peshë faji mbi supe. Ai i ka bërë publike në mënyrë të tërthortë duke kërkuar edhe bashkëpunim e bashkëqeverisje. Rama nuk ka ndryshuar, por është i frikësuar nga ky realitet. Ne kemi përballë një qeveri që nuk është votuar nga qytetarët, sepse zgjedhjet janë deformuar dhe blerë. Nga ana tjetër ne kemi një opozitë të pa organizuar sepse lideri i saj nuk është i qartë me axhendën politike se si do të përballet me këtë realitet. I kemi dëgjuar gjëra të tilla para 4 ose 2 viteve, apo edhe para zgjedhjeve këto gjëra.

Ne kemi marrë edhe vendime që kanë rezultuar të gabuara dhe është shume e rëndësishme që të mos i përsërisim këto gabime dhe të behët një axhendë e besueshme. Unë shoh se pika më kritike e opozitës është z. Basha. Ai duhet të gjejë mënyrën se si të fitojë besimin e opozitarëve dhe qytetarëve. Basha ka bërë një seri gabimesh, përtej devijimit të votave nga Rama. Prandaj duhet të kërkojmë falje dhe të mos i përsërisim në të ardhmen. Edhe me vjedhjen e votave nga PS ne mund të ishim fituese.

Ndoka shtoi se nëse opozita do të dilte e bashkuar, si e tërë, jo me dy grupime, Basha do të ishte kryeministri i vendit, sepse kështu u humbën 10 mandate.

Ndoka: Nëse opozita do të dilte e bashkuar, si e tërë, jo me dy grupime, Basha do të ishte kryeministri i vendit. Askush nuk del të thotë pse ndodhi kjo gjë. As LSI dhe as PD nuk kanë dhënë një shpjegim për këtë gabim trashanik. Ne patëm sondazhet dhe historinë më parë, duke ditur se kë kemi përballë. Rama na hoqi koalicionin klasik, ndërsa ne bëmë gabimin trashanik, duke dalë me dy lista, duke u penalizuar përfundimisht. Ky është gabimi ynë. Ne kemi humbur kështu 10 mandate.