Të jetosh me 18 mijë lekë të vjetra, thirrja e 52-vjeçarit: Veç vaj e kripë, nuk blej dot asgjë

Është invalid dhe mbahet vetqm me 18 mijë lekë në muaj, të cilat nuk i mjaftojnë as për ilaçe. 52- vjeçari, Edmond Dushku, i cili jeton me të emën e moshuar, ka marrë premtime para fushate për trajtimin e  rastit të tij, por askush nuk e ndihmon veç fqinjve.

Ndërsa çmimet vijnë në rritje, pagat mbeten në të njëjtat nivele dhe për pasojë ka familje të cilat nuk përballojnë jetesën.

Edmond Dushku, 52 vjeçar, banor i lagjes "Allias" në Tiranë është i paaftë për punë.

Prej vitesh i sëmurë, ai jeton me pension invaliditeti.

Merr në muaj vetëm 18 mijë lekë dhe kjo shumë nuk i mjafton as për të blerë ilaçet .

"Me 18 mijë lekë të vjetra nuk blej dot asgjë. Veç vaj e kripë, gjëra tjera nuk i blej dot. Kam shumë lekë borxhe te lista e dyqanit, mbi 100 mijë lekë. Nuk e përballoj dot jetesën me 18 mijë lekë të vjetra.

Kemi votuar PS dhe nuk na kanë ndihmuar fare. Kanë ardhur çdo katër vjet dhe na kanë tallur. Ilaçet më kushtojnë 80 mijë lekët të vjetra. Kam marr lekë borxh", shprehet 52-vjeçari për Ora News.

Thotë se ndihmesë për të janë fqinjët.

52-vjeçari jeton vetëm me të ëmën e moshuar e jetesa u bëhet edhe më e vështirë.

Thotë se në prag zgjedhjesh i kanë premtuar për rishikim të rastit të tij, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.