Apeli i Posaçëm vendos në 22 shtator për ish-kryeprokurorin, avokati: Llalla, i shtruar në spital
Gjykata e Posaçme e Apelit shtyu me 12 ditë vendimin për ish- kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili është dënuar me dy vjet heqje lirie në shkallën e parë. Avokati i tij kërkoi pafajësi ndërsa tha se ish-drejtuesi i prokurorisë ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Nga ana tjetër prokuroria ka kërkuar dënimin me burg të Llallës dhe konfiskimin e pasurive të sekuestruara në emër të tij.
Gjykata e Posaçme e Apelit shtyu per në 22 shtator vendimin për ish-kren e akuzës, Adriatik Llall, i dënuar nga shkalla e parë me 2 vite burg për mosdeklarim të pasurisë në tri raste.
Llalla nuk ishte i pranishëm në seancën e të enjtes ku u përfaqësua nga avokati i tij Sokol Hazizaj.
Gjatë mbrojtjes ai kërkoi pafajësi për ish-kryeprokurorin ose kthimin e çështjes edhe njëhere për gjykim në gjykatën e shkallës së parë.
Avokati kërkoi të adminIstrohen në cilësine e provave edhe tri dokumenta të paraqitura nga ish-kryeprokurori, mes të cilave edhe një raport mjeko-ligjor që e konsideronte gjendjen e tij shëndetësore tepër të rëndë.
Por kërkesa e avokatit u rrëzuan nga gjykata ndërkohë që pas daljes nga seanca mbrojtësi i Llallës e konsideroi të padrejtë qëndrimi trupës gjykuese.
"Ka prevaluar gjithmonë opinioni dhe provat e stisura të organit procedurial të hetimit.Ka munguar parimi i paritetit që më çon jo në paragjykim por humbje besimi ndonjëherë te drejtësia. Sa i përket pyetjes ku ndodhet Llalla, i mbrojturi prej meje vuan nga një sëmundje e rëndë dhe është në regjim spitalor në Shqipëri. Pres nga Apeli të reflektojë mbi gabimet e tmershme të gjykatës së shkallës së parë sa i përket dhe mënyrës mospranuese, refraktare, ndaj provave tona dhe vëzhgimit në themel të çështjes. Jemi para një rasti suigeneris kur nuk pranohet deklarimi dhe konsiderohet ai si mosdeklarim".
Nga ana tjetër dy prokurorët e çështjes Manjola Kajana dhe Enkelejda Millonai deklaruan se i qëndrojnë kërkesës për dënimin e Llallës me burg.
Ato pretenduan se i pandehuri e ka konsumuar veprën penale për të cilën akuzohet ndërsa dënimi i Gjykatës së Posaçme që e ka dënuar me dy vite burg dhe me heqjen per 5 vite të drejtën për të ushtruar funksione publike është i drejtë, pasi kjo vepër ka rrezikshmëri shoqërore.
Përfaqësueset e akuzës kërkuan edhe konfiskimin e pasurive të sekuestruara në emër të kreut te akuzës.
Seanca e gjykatës së Apelit ndaj ish-kryeprokurorit u monitorua nga përfaqësues të OPDAT.

