Mundësia e dytë për në universitet, aplikuesit e A1Z
Për të gjithë ish-maturantët që për arsye të ndryshme kanë humbur mundësinë për të ndjekur universitetin, dhe për ata që duan të hyjnë në një degë të re të arsimit të lartë, ka një mundësi aplikimi.
Është formulari A 1 Z që duhet plotësuar. Të interesuarit mund të regjistrohen përmes E-Albania ose të paraqiten pranë gjimnazit ku kanë përfunduar shkollën.
Elisabeta Drita, mbikëqyrëse e maturës shtetërore, sqaron se si kryhet procedura.
"Fotokopja e certifikatës së notave, fotokopja e diplomës dhe karta e identitetit," tha Drita.
Mes personave që kanë aplikuar ka edhe 37 vjeçarë, kryesisht për kryerjen e një universiteti të dytë, sqaron drejtoresha e gjimnazit Qemal Stafa, Klotilda Jaupi.
"Të paktën në këtë fazë janë ata aplikantë që kërkojnë të kenë një mundësi të dytë, ose në një degë të dytë. Numri varion sepse nuk është i prerë," tha ajo.
Lidhur me mësimin plotësues, Jaupi thotë se ka pasur një interesim të lartë nga nxënësit, por një pjesë e konsiderueshme e tyre marrin pjesë vetëm për lëndët ku kanë më shumë paqartësi.
"Mesatarisht numri për ne ka variuar nga 220 deri në 300, përjashto 2 ditët e para," tha Jaupi.
Ndryshe nga aplikimet me formularin A1, qe vijnë çdo vit në rënie, pasi shumë të rinj largohen jashtë me studime apo emigrim, regjistrimet për fazën e A1Z mbeten konstante. /OraNews/
