Seanca për falsifikatorët e tamponëve për Covid 19, 2 mbyllen në burg, 3 në liri

Punonjësit e dy agjensive udhëtimi dhe një laboratori të arrestuar për falsifikimin e tamponëve anti-Covid, u njohën me akuzat në Gjykatën e Durrësit. Togat e zeza vendosën që dy të qëndrojnë në burg, ndërsa tre tjerë të përfshirë në skemë do të hetohen në gjendje të lirë.

Pesë punonjësit e dy agjensive turistike dhe një laboratori mjekësor në Durrës të arrestuar për falsifikim të tamponëve anti-Covid të udhëtarëve drejt BE, u njohën këtë të enjte me akuzat në Gjykatë.

Togat e zeza vendosën që 2 të qëndrojnë në burg deri në fund të hetimit, ndërsa tre të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë.

Në qeli mbetën Blerim Maloku, punonjës në laboratorin 'Medical Care Lami" dhe Artiola Budani, punonjëse në agjencinë turistike 'Kristal Travel'.

Ndaj tyre janë ngritur akuza për falsifikim, mashtrim dhe përfitim i paligjshëm.

Gjykata caktoi masën e sigurisë 'detyrim paraqitje' për Asllan Divën dhe Albiona Cukën, punonjës në labortaorin 'Medical Care Lami", si dhe për Violeta Begejan, punonjëse në një agjenci udhëtimi.

Ndërkohë u shpall në kërkim pronari i laboratorit, Lutfi Lami, 52 vjeç.

Më 7 shtator, policia e Durrësit tha se goditi dy raste të falsifikimit të tamponëve Covid-19 për të udhëtuar jashtë vendit.

Në një rast, falsifikimi kryhej në bashkëpunim mes punonjësve të agjensisë së udhëtimit në bashkëpunim me laboratorin, ndërsa në rastin e dytë nga punonjësit e agjensisë së udhëtimit.