Mbyllen 4 shkolla në Elbasan, shkak numri i ulët i nxënësve

Nga 66 shkolla që ka në total bashkia e Elbasanit këtë vit katër prej tyre nuk do ti hapin dyert.

Reduktimi i numrit të nxënësve ka bërë që të mbyllen shkollat e fshatit Shmil dhe Preçaj ndërsa nxënësit e shkollës së Gracenit dhe të Kryezjarrit përkatësisht 6 nxënës dhe 3 nxënës do të transferohen në shkollat e zonave më të afërta.

Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore në Elbasan Anila Çota thotë se shkak për mbylljen e shkollave mbetet largimi i banorëve nga këto fshatra, raporton Ora News.

"Kemi shkolla të cilat janë mbyllur apo rrezikojnë të mbyllen. Aktualisht vitit mësimor 2021-2022 ne kemi 2 shkolla të mbyllura totalisht për shkak se numri i nxënësve është zero dhe dy shkolla të tjera përkatësisht me 6 dhe 3 nxënës të cilat janë përqendruar në shkollat më të afërta," tha Çota.

Edhe sa i takon klasave të para, numri i nxënësve të regjistruar është më I vogël se ata që rezultojnë në gjendjen civile.

"Mund t'ju them që ne kemi pasur të planifikuar për t'u regjistruar 1407 nxënës në klasën e parë prej të cilëve deri sot është rreth 1253," tha ajo.

Prej një jave tashmë në vendin tonë ka filluar mësimi për orët plotësuese ku sipas të dhënave nga ZVA Elbasan ka një frekuentueshmëri prej 70% .

/OraNews/