Lushnja në emergjencë mjedisore, tymi kancerogjen mbulon qytetin, Qytetarët: Ne po jetojmë shumë keq!

Lushnja është në emergjencë mjedisore pasi një zjarr ka përfshirë fushën e mbetjeve urbane prej orëve të para të mëngjesit të së enjtes.

Tymi i zi, era e keqe dhe grimcat kancerogjene që lëshohen në ajër kanë mbuluar zonën periferike pranë lagjes “18 Tetori”

Për të vënë flakët nën kontroll janë angazhuar forca zjarrfikëse nga Bashkitë Lushnje e Divjakë, ndërsa është kërkuar ndihmë edhe nga Bashkitë e tjera fqinje.

Dyshimet janë për zjarrvënie të qëllimshme, ndaj policia ka nisur hetimet.

Fusha e depozitimit të mbetjeve në Lushnje është ngritur në këtë zonë rreth 4 dekada më parë, ndërsa shtëpitë aty janë ndërtuar gjatë tranzicionit dhe janë në proces legalizimi.

Banorët thonë se nuk hapin dot as dritaret.

“Nuk hap dot dritaren. Të merret fryma. Ne po jetojmë shumë keq” thonë qytetarët.

Me një situatë identike gjatë verës u përball edhe Fieri, ku fusha e mbetjeve u dogj për disa ditë me radhë, dhe kur zjarri u fik, bashkia vendosi ti dërgojë mbetjet në landfill me pagesë.

Me krizën e menaxhimit të mbetjeve janë përballuar edhe Bashkitë e Durrësit, Kavajës, e Shijakut derisa kanë nënshkruar kontrata me landfillet ku për të depozituar mbetjet duhet të paguajnë.