Do hapë seancën e Kuvendit, Çika shpërthen ndaj Bozos: Pinjolle e komunizmit, lavdëroi kryexhelatin Enver Hoxha

Në Shkodër, u shënua 75-vjetori i kryengritjes anti-komuniste të Postribës, revoltës së parë kundër regjimit totalitar që u instalua në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, hodhi akuza të forta ndaj mazhorancës socialiste dhe deputetes Luljeta Bozo, që nesër pritet të drejtojë seancën e parë të Kuvendit.

Në Shkodër u përkujtua 75-vjetori i kryengritjes së parë antikomuniste në Shqipëri, ajo e Postribës.

Pasardhës anëtarë të shoqatave të të përndjekurve, drejtues vendore e përfaqësues politik vendosen kurora me lule në memorialin kushtuar kësaj ngjarje historike.

Në pamundësi për të qënë i pranishëm vetë, mesazhin e tij kryedemokrati Lulzim Basha e përcolli në rrjetet sociale, ndërsa në Shkodër si përfaqësues i PD, ishte nënkryetari Alfred Rushaj.

Kryetari i shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Nebil Çika ishte më i ashpër.  

Ai sulmoi deputeten e re Luljeta Bozo, e cila do të hapë seancën e parë të Kuvendit në 10 shtator.

Çika: Nesër parlamentin do ta hapë një pinjolle e drejtëpëdrejtë e familjeve të diktaturës komuniste nga të dyja anët nga vetë dhe burri. Vetëm para 3 muajsh ajo deklaronte në media se Enver Hoxha, kryexhelati i Shqipërisë është një burrë i mirë. Ju kërkoj përfaqësuesve tanë në parlament ti konsiderojnë ata jo si një parti rivale por si pasardhës të papenduar madje dhe pjesë të atyre që përgjaken Shqipërinë për 45 vjet dhe vazhdojnë ta përgjakin me metoda të ndryshme dhe sot.

Sipas tij, nëse martirët antikomunistë nuk vlerësohen dhe ata që kryen krime nuk ndëshkohen, Shqipëria nuk do të ketë paqe.

Çika: Është një lumë gjaku midis nesh dhe atyre. Derisa ne të vazhdojmë të konsiderojmë ne dhe ata, ky vend është në diktaturë.

Çika tha ndër të tjera se burrat dhe gratë e Postribës dhe të tjerët në gjithë  Shqipërinë që sakrifikuan jetën dhe familjet e tyre për të mbrojtur lirinë tonë kombëtare dhe shoqërore meritojnë të jenë në altarin tonë të historisë kombëtare.

Çika: Ne pasardhësit e të përndjekurve politikë, të antikomunistëve jemi të prirur që ta shohim Postribën dhe çdo ngjarje jo si gjëmë por si krenari. Ajo që na ndan ne me pjesën tjetër të popullit shqiptar është se ne qëndruam i vumë gjoksin diktaturës komuniste kur të tjerët nuk guxonin as të ngrinin sytë ta shikonin.

Burrat dhe gratë e Postribës dhe  ata të tjerët në gjithë  Shqipërinë që sakrifikuan jetën dhe familjet e tyre për të mbrojtur lirinë tonë kombëtare dhe shoqërore meritojnë të jenë në altarin tonë të historisë kombëtare. Kjo nuk ka ndodhur pasi edhe 30 vjet pas rënies de jure të komunizmit dhe 75 vjet nga kryengritja e Postribës historinë vazhdojnë të shkruajnë komunistët dhe bijtë e tyre.

Jo rastësisht nga të gjithë këtu jemi pinjollë të atyre martirëve, atyre familjeve që dhanë jetën, sakrifikuan gjithçka për Shqipërinë. Ka një ndarje mes shqiptarëve, jemi ne anti-komunistët, patriotët, qytetarët e lirë të këtij vendi që shkrinë gjithçka për të bërë Shqipërinë dhe janë ata që kanë shkrirë dhe po shkrijnë Shqipërinë për të bërë pasurinë e tyre për pushtetin e tyre.

75 vjet më vonë ne jemi sërish ballë për ballë me bijtë e etërve, shpesh herë edhe brenda radhëve tona. Edhe brenda nesh shpesh herë jemi detyruar të votojmë dhe të mbështesim djemtë apo nipërit e atyre që pushkatuan këta burra apo burgosën e internuan gjithë Shqipërinë.

I bëj thirrje PD që ne e kemi mbështetur dhe është e pranishme sot këtu të gjejë forcën dhe të vijë në linjën politike dhe ideologjike të këtyre burrave dhe grave dhe gjithë martirëve anti-komunistë në Shqipëri sepse është partia e idealeve të tyre. Çdo heqje dorë nga antikomunizmi është gjëmë jo për PD dhe ne po për gjithë Shqipërinë.

Kryengritja e Postribës e vitit 1946 u shtyp me dhunë nga regjimi i kohës, i cili pushkatoi pa gjyq 28 nga pjesëmarrësit në këte kryengritje, ndërsa qindra të tjerë vuajtjën dënime në burgjet dhe kampet e internimit.