Dy seanca në një ditë, Luljeta Bozo hap punimet, betohen deputetët dhe zgjidhet kreu i ri i Kuvendit

Të premten në orën 10:00 nis zyrtarisht legjislatura e 10 parlamentare. Do të ketë dy seanca, e para për konstituimin e mandateve dhe disa orë më vonë deputetët do të mblidhen për tu betuar dhe për të zgjedhur Kryeparlamentarin e ri.  Ende nuk është përcaktuar seanca kur Rama do të prezantojë qeverinë dhe programin, pasi presidenti Ilir Meta ende nuk e ka dekretuar si Kryeministër. 

Nesër në orën 10:00 çelet legjislatura e 10-të parlamentare, duke shënuar nisjen e sezonit të ri politik.

Seanca parlamentare do të drejtohet nga deputetja me e vjetër në Kuvend, socialistja Luljeta Bozo, e cila do të ketë një fjalim kortezie të shkurtër.

Më pas do të nise procedura e konstituimit të Kuvendit të Shqipërisë.

Gjithçka bazohet në kreun 1 të rregullores së Kuvendit,  ku procedura nis me ngritjen e një Komisioni të  Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, i cili përbëhet nga 9 deputetë.

Ky Komision shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit.

Por duket se kjo kohë këtij komsioni i është ngushtuar, pasi është vendosur që seanca e dytë, ajo në të cilën betohen deputetët dhe zgjidhet Kryeparlamentari, të jetë po të premten në orën 17:00.  

Po në bazë të kësaj rregullorje, minimumi 15 deputetëve do tu  duhet të propozojnë  emrin e Kryeparlmantarit, në këtë rast do jetë emri i socialistes Lindita Nikollës.

Neni 6, i  rregullores së Kuvendit përcakton se kryeparlamentari zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e kërkuar, vijohet me një raund të dytë, ku votohet për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota.

Pas kësaj seance, do të thirret një tjetër seancë e posaçme ku Edi Rama si Kryeministër do të paraqesë kabinetin qeveritar por dhe programin qeverisës.

Për këtë nuk ka ende një datë, pasi emri i Ramës për Kryeministër,  është në duart e presidentit Ilir Meta, i cili ende nuk e ka dekretuar si kryeministër.

Për këtë Presidenti nuk ka afate kushtetuese, ndërsa emri i ka shkuar në zyrë rreth 5 ditë më parë.