KPK shkarkon Arben Dyla, prokurorin që vepronte si bankë,duke dhënë para me fajde

Drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjes, Arben Dyla është shkarkuar sot nga detyra nga KPK për shkak të problemeve me pasurinë. Në vendimin e vetingut ndaj prokurorit thuhet se ai ka cënuar besimin e publikut.

Arben Dyla është bërë i njohur pasi shoqëroi një grup hetuesish të gjykatës së Hagës në “Shtëpinë e Verdhë” në Mat, ku dyshohej se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishte kryer trafik organesh mes robërve Serbe.

Para me fajde

Vettingu i kryer ndaj tij gjeti shkelje të rënda në kriterin e pasurisë dhe atë të integritetit të figures ndërkohë që fakti që vulosi shkarkimin e prokurorit ishte se gjatë kohës që ushtronte profesionin e prokurorit, ai ka dhënë para me fajde.

Pikërisht një shumë prej 50 mijë euro, Dyla ja ka dhënë shtetasit me inicialet A.K, duke i caktuar një interes prej 2 për qind. KPK, e ka konsideruar këtë veprim si të rëndë, duke krijuar argumentimin se prokurori ka vepruar në formën e një subjekti bankar dhe jo në staturën e një prokurori të Republikës së Shqipërisë.

Sipas raportit vlerësues, me marrjen e shumës prej 50 mijë euro, shtetasi A.K, duhet të kthente tek prokurori Dyla një vlerë prej 1 mijë euro në muaj interes. Ndërkohë si garanci për shlyerjen e shumës, ai kishte lënë një apartament, në të cilin jetonte prokurori, çka bëri të ngriheshin dyshime për një kontratë fiktive.

Prokurori ka pohuar se këtë veprim e ka kryer për ta ndihmuar të njohurin e tij A.K i cili ishte në pamundësi reale për të marë kredi në bankë dhe për këtë arsye ai i ka dhënë hua me interes shumën prej 50 mijë euro.

Nga ana tjetër KPK ka konstatuar se shuma e dhënë dua ishte e padeklaruar nga nga prokurori në vitin 2016, kur është lidhur edhe kontrata e huasë. Vettingu gjithashtu ka kosntatuiar se shuma prej 50 mijë euro, ishte e pajustifikuar me burimin e të ardhurave nga puna e prokurorit dhe bashkëshortes. Drejtuesi i prokurorisë ë Lushnjës Arben dyla u gjet në zyrën e kryebashkiakut të lushnjës fatos tushe gjatë arrestimit të tij me urdhër të SPAK.

Policia ka kërkuar llogari se në çfarë cilësie ndodhej ai në ato momente në zyrën e kryebashkiakut të arrestuar, çka ka sjellë dhe sekuestrimin e telefonave. Pas ndërhyrjes së prokurores Manjola Kajana, Dyla është lënë i lirë të shkojë nga bashkia në zyrën e tij të prokurorisë së Lushnjës.