Padia për shpifje, GJKKO kërkon Dumën dhe Veliaj në gjykatë ose pushohet çështja
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka thirrur kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për tu paraqitur në seancën gjyqësore me palë paditëse, deputeten e PD-së Grida Duma.
Çështja po shqyrtohet nga gjyqtari Erjon Bani, i cili ka caktuar seancën e radhës në datën 22 shtator 2021 në ora 10.00.
Sipas gjykatës, shqyrtimi i kërkesës penale të paraqitur nga deputetja Grida Duma ndaj Erion Veliajt kërkon prezencën e detyrueshme të të dyja palëve në seancën e pajtimit.
Në rast se mungon Grida Duma, ligji parashikon pushimin e çështjes, ndërkohë që në rast se mungon i akuzuari Erion Veliaj, gjykata do të vendosë shoqërimin e detyrueshëm.
Në mars të këtij viti, Grida Duma paditi për shpifje Erion Veliajn, duke kërkuar dëmshpërblim në vlerën e 3 milion lekëve.
Në padinë e Dumës, thuhet se “Erion Veliaj ka ngritur një sërë akuzash të drejtpërdrejta, duke e akuzuar znj. Duma si trafikante apartamentesh. Deklarata të tilla përveçse janë trillime shpifëse, bëhen duke përdorur një terminologji kriminale pikërisht për t’i bërë më të rënda për publikun”.

