Institucionet e mirëmbajtjes së rrugëve "Streha varfnore për militantët"
Kryeqyteti haset çdo ditë me problematikën e tarfikut të rënduar dhe mungesën e sinjalistikës.
Eksperti rrugor, Artur Sulçe ishte i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini dhe foli për problematikat e zbatimit të kodit rrugor.
I pyetur se çfarë i pengon personat që merren specifikisht me përdorimin e rrugës të vendosin sinjalistikën në mënyrën e duhur, zoti Sulçe tha se një pjesë e mirë e të punësuarve janë pjesë e militantizmit, jo e profesionalizmit.
Sulçe: "Një pjesë e mirë e të punësuarve janë me shkollë të mesme dhe 8-vjeçare nëse nuk gaboj. E dyta ata të cilët merren me këtë dhe në institucionet përkatëse që mbulojnë janë pjesë e militantizmit, jo e profesionalizimit në fushën e tyre. Institucionet shtetërore të cilat merren dhe jo vetëm këtu por në shumë institucione janë kthyer në streha varfnore për të vendosur militantë, jo njerëz të cilët e njohin fushën.
Njerëzit të cilët e njohin fushën dhe profesionet e lira janë duke ikur nga vendi sepse ky është një treg informal ku shteti nuk kujdeset për të mbajtur profesionistët. Akoma më keq do vijë nesër."
Zoti Sulçe u shpreh se institucionet nuk kanë plane afatgjata për zgjidhjen e trafikut. Sipas ekspertit, parimi i këtyre institucioneve është që të bëjnë zgjidhje emergjente, por asnjëherë afatgjata.
Sulçe: "Ne nuk kemi parë në vendin tonë që t'i japim një zgjidhje afatgjatë problemit. Parimi i këtyre institucioneve është që të bëjnë zgjidhje emergjente, por asnjëherë afatgjatë. Asnjëherë nuk ka pasur plane afatgjata të cilat do të jepnin një infrastrukturë të rregullt dhe të asimilueshme për shmangien e aksidenteve. Ka ardhur koha që në Tiranë ose të menaxhohet trafiku ose policia dhe Enti Rregullator i rrugës të marrin masa. Mos merren me gjobat, por të merren me trafikun."
Ora News ka ngritur edhe më herët problemin e trafikut në zonën e sheshit "Shqiponja" i cili është krijuar për shkak të vendosjes së gabuar të sinjalistikës.
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
