Regjistrimi në shkolla, drejtoritë presin ende aplikime nga prindërit, interes për mësimin plotësues
Faza e fundit e aplikimit për regjistrime në shkolla ka përfunduar, por gjatë kësaj periudhe drejtoritë e shkollave do të jenë të hapura për të pritur prindërit që nuk kanë mundur të regjistrohen online. Ndërkohë në shkolla ka nisur procesi i grumbullimit të librave për tu shpërndarë më pas te nxënësit.
Shkollat kanë nisur regjistrimet e nxënësve pasi më 30 gusht përfundoi raundi i dytë i aplikimeve.
Kjo fazë e dytë ka pasur në fokus prindërit që për arsye të ndryshme nuk kanë preferuar të bëjnë regjistrimin në shkollën që figurojnë në sistem.
Drejtorja e shkollës 9-vjeçare, “Avni Rustemi”, Agetina Haxhiu sqaron procedurën e aplikimit dhe regjistrimit të nxënësve.
“Tek e-albania hapet një kolonë dhe prindi shkruan se cila është arsyeja që kërkohet një shkollë, sepse arsyeja duhet të jetë bindëse. Ne Brenda 24 orëve e përcillnim kërkesën dhe kthenim përgjigje."
Megjithatë drejtoritë e shkollave presin ende aplikime nga prindërit që s’kanë pasur mundësi ta kryejnë atë online.
“Udhëzimet do t’i marrim nga ZVA dhe do t’i përcjellim te prindi. Asnjë fëmijë nuk do të ngelet pa regjistruar.”
Brenda 15 shtatorit pritet ndarja e librave sipas shkollave dhe më pas nxënësit do të kenë mundësi të pajisen me to.
“Ne jemi në fazën e grumbullimit të librave. Shtëpitë botuese sjellin librat sipas kërkesave tona. Ne presim që në 15 shtator të kemi mbledhur të gjitha librat.”
Lidhur me mësimin plotësues, në ditët e para të këtij procesi është vënë re një interes i lartë i nxënësve në klasat e para.
“Pak më të rritura kemi më pak, ndërsa klasat nga e para deri në atë të gjashtë kemi më shumë.”
Viti I ri arsimor me proces të rregullt pritet të fillojë në 27 shtator me praninë e nxënësve në klasa.

