“Baldushku” shtyhet për mungesë të gjyqtarëve në Apel, banorët: Të mos zvarritet procesi, po na zaptojnë pronat!

Gjykata Administrative e Apelit nuk ka trupën e anëtarëve për të zhvilluar një gjyq. Një fakt i tillë u dëshmua këtë të martë në procesin e banorëve të Baldushkut, të cilët kanë ankimuar çështjen e pronësisë së tokave bujqësore, të cilat sipas tyre po zaptohen nga Bashkia për projektin e rindërtimit.

Banorët e zonës se Baldushkut iu drejtuan këtë të martë dyerve te Apelit në Gjykaten Administrative në Tiranë, nga ku presin një vendim për tokat e tyre.

Verdikti nuk u dha, pasi trupa në këtë gjykatë ishte e pamjaftueshme.

Në mungese kuorumi seanca u shty, ndërsa banorët të revoltuar i kërkojnë Këshillit të Lartë Gjyqësor të shtojë numrin e  gjyqtarëve.

"E kemi marrë pronën në Kadastër, e kemi çuar në Hipotekë për regjistrim, Hipoteka tha se ka kaluar afati prandaj duhet ta bëni me gjyq. Është në gjyq që në 2014. Shkalla e parë na e ka dhënë të drejtën, tani është në Apel për mungesë të gjyqtarëve."

Prej kohësh këta banorë protestojnë me argumentin se tokat e tyre bujqësore po zaptohen në mënyrë antiligjore.

Ata thonë që përsa kohë çështja është në proces gjyqësor, punimet duhet të ndërpriten.

Bëhet fjalë për projektin e rindërtimit që Bashkia e Tiranës, po zbaton në këtë zonë.

"Nuk jemi kundër ndërtimit të shtëpive, t'ua bëjë shteti por edhe ne të na lënë në pronën tonë, në hallin tonë."

"Kanë prishur 300 rrënjë pemë, rrush, fiq, arra, ullinj. Firma fantazmë nuk paraqitet se kush është, çfarë do të bëjë. Përdor policinë për forcë, ne nuk kemi fuqi me policinë."

Pavarësisht rezistencës së banorëve, në mungesë të një vendimi nga gjykata për pronesinë e tokave bujqësore, punimet për rindërtimin nuk janë ndalur.