Aksidenti tek Kopshti Botanik në Tiranë: Dy policët kanë fraktura
Detaje të reja nga aksidenti i ndodhur paraditen e 6 shtatorit afër Kopshtit Botanik në Tiranë
Një grup hetimor po verifikon provat në vendngjarje për të kuptuar se kush e ka pasur fajin e këtij aksidenti ku një makinë u përplas me motorin ku udhëtonin dy efektivët e repartit "Shqiponja".
Aksidenti ndodhi rreth orës 10:05 minuta dhe do verifikohet kush e ka pasur fajin: oolicët apo drejtuesi i mjetit tip Volvo që sapo kishte dalë nga një vend parkimi.
Dy efektivët kanë fraktura dhe hematoma në gjymtyrë, raporton gazetari i RTV Ora, Edison Vatnikaj.
"Ka qenë një përplasje e fortë. Dy efektivë kanë qenë duke lëvizur me motor kur janë përplasur me makinën"
Pamjet e vendngjarjes tregojnë se motori ka dalë nga rruga ndërsa dy efektivët janë të shtrirë në tokë
Drejtuesi i makinës është shoqëruar në komisariat. Ekspertiza dhe pamjet e kamerave të sigurisë do të zbulojnë se kush e ka pasur fajin e këtij aksidenti që plagosi dy efektivët por fatmirësisht nuk i rrezikoi jetën.
