Manastirliu prezanton nismën e re: Universitet më universitet për të vaksinuar studentët e pedagogët

Me hapjen e universiteteve në tetor , në çdo derë të këtij institucioni do te instalohet një qendër e posaçme vaksinimi.  Kjo është nisma më e fundit e autoriteteve shëndetësore për të lehtësuar procedurat  për të rinjtë. Ministrja Manastirliu, gjatë një inspektimi në pikën e vaksinimi në “Air Albania” tregoi rëndësinë e kryerjes së vaksinës.

"Do të mundemi që ne të jemi pranë në çdo universitet, në çdo fakultet për të bërë vaksinën aty për të gjithë ata studentë apo dhe pedagogë që nuk kanë bërë ende vaksinën," tha Manastirliu.

Edhe  rektori i mjekësisë,  Arben Gjata u bëri thirrje  të rinjve të vaksinohen.

"Duhet të marrim masa të caktuara në mënyrë që të përshpejtohet sidomos vaksinimi te mjekësia dhe të gjitha universitetet e tjera," tha Gjata.

 Megjithëse shprehin frikë, të rinjtë thonë se do të vaksinohen për tu rikthyer kështu në auditore.

"Jo në fakt kam dashur ta bëj vetë dhe para se të bëhej me detyrim."

"Nuk e di realisht, po e mendoj."

"Të gjithë duhet të mbrojmë veten pikë së pari dhe mos t'i besojmë teorive. S'është se ka diçka që është e pavërtetuar."

"Asnjëherë nuk kam qenë e bindur plotësisht, por kur bëhet fjalë për mbrojtjen e jetës sigurisht që do ta bëjmë."

Njëra çadër vaksinimi në sheshin "Skënderbej" është hequr këtë të martë, për shkak se qytetarët zgjedhin të shkojnë te qendrat shëndetësore.

Ndërkohë vijojnë të funksionojë tenda kryesore në qendër të qytetit, stadium "Air Albania" dhe  qendrat shëndetësore.