Konflikti për kompetencat me KLP, Prokuroria çon daft ligjor në parlament, kërkon emërimet e drejtuesve

Konflikti i heshtur mes zyrës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe asaj të Prokurorit të Përgjithshëm për ndarjen e kompetencave të emërimeve, duket se tashmë ka dalë në sipërfaqe.

Kjo pasi nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm është krijuar një draft-ligjor, ku kërkohet që titullarit të Prokurorisë Shqiptare, ti kthehen pjesërisht disa prej kompetencave të tij ligjore.

Ora News mëson nga burime të prokurorisë, se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela, ka përgatitur një draft ligjor, të cilin e ka dërguar qysh prej fillimit të muajit gusht për diskutim në Komisionin e Ligjeve pranë Parlamentit.

Ky draft ligjor i hartuar nga specialistët ligjorë të Prokurorisë së Përgjithshme, konsiston në faktin për ndarjen e kompetencave dhe kthimin e disa mekanizmave ligjorë tek Prokurori i Përgjithshëm.

Burimet thanë për Ora News, se drafti e vendos theksin më tepër tek kompetencat e emërimeve dhe transferimeve të prokurorëve, kompetencë kjo që para ndryshimeve kushtetuese të vitit 2017, ka qenë ekskluzivitet i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Me draftin e ri, kryeprokurori Olsian Çela, kërkon që kjo kompetencë ti kthehet pjesërisht, duke marrë eksluzivitetin e emërimit dhe transferimit të drejtuesve të Prokurorive në rrethe.

Ndërsa emërimet dhe transferimet e prokurorëve të thjeshtë ti lihen Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Me këtë propozim, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm kërkon ndarjen e kompetencave me KLP-në dhe sigurisht ndarjen e pushtetit mbi prokuroritë e rretheve, duke synuar një ekulibrim.

Kjo pasi në situatën ligjore ku ndodhemi, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk ka asnjë akses vendimarës në emërimin e prokurorëve dhe transferimin e tyre nga njëra prokurori në tjetrën.

Aktualisht drafti është çuar për disktim dhe ndryshim në Komisionin e Ligjeve pranë parlamentit, por ende nuk është zhvilluar asnjë seancë.

Do ti mbetet deputetëve të rinj të parlamentit që të diskutojnë këtë draft-ligjor të propozuar nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

Mes dy institucioneve, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, prej disa kohësh është duke u zhvilluar një konflikt i heshtur, për sa i përket ndarjes së kompetencave mbi prokuroritë e rretheve.

Olsian Çela, gjithmonë është ankuar se nuk ka mekanizma emërues, transferues dhe kontrollues, mbi prokuroritë e rretheve.

Ndërsa Ibrahimi, në një takim të 27 Majit 2021, nguli këmbë se ndryshimet kushtetuese dhe Reforma në Drejtësi ishte pikërisht për t'i hequr kompentencat të cilat sot i ka Këshilli dhe jo t'i rikthehen Kryeprokurorit.