Çanta që alarmoi policinë, alarmi i rremë pak metra larg Ambasadës iraniane në Tiranë

Një çantë sportive e lënë në rrugën "Mustafa Matohiti" në Tiranë, pak metra larg Ambasadës iraniane, ka alarmuar policinë e Tiranës.

Alarmi pas verifikimeve rezultoi i rremë, ndërkohë që policia bllokoi lëvizjen në zonë për rreth një orë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 09:15, kur salla operative e policisë është njoftuar për praninë e një çante të zezë që ishte harruar në bordurë në rrugicën pranë pallatit ku banon edhe ish- kryeministri Sali Berisha.

"Më datë 07.09.2021, rreth orës 09:15, njoftohemi nga punonjësi i policisë në shërbim se në rrugën “Mustafa Matohiti”, është konstatuar një çantë shpine.Sherbimet e Policisë kanë bërë rrethimin e vendit dhe kanë njoftuar forcat xheniere për veprime të metejshme" njoftoi policia.

Brenda pak minutave në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektiva të policisë dhe shërbimet e xhenios, të cilët fillimisht kanë bërë izolimin e zonës dhe më pas kanë skanuar çantën me pajisjet e posaçme.

Çanta që alarmoi policinë, alarmi i rremë pak metra larg

Pas verifikimeve të bëra, punonjësit e policisë kanë bërë edhe zhvendosjen e çantës dhe hapjen e saj, ku është konstatuar se nuk kishte lëndë plasëse apo të rrezikshme.

Zyrtarisht policia e Tiranës tha se çanta ishte e boshatisur dhe se ngjarja është mbyllur pa asnjë dëm apo problem për qytetarët dhe objektet në zonë.