A u ndje mungesa e zotit Balla? Gazetarët e "ngacmojnë" Gjiknurin pas mbledhjes së PS, ja si përgjigjet
Pas Asamblesë Kombëtare, kryeministri Edi Rama, thirri mëngjesin e së martës sekretarët e rinj të Partisë Socialiste.
Mbledhja si qëllim kishte punën organizative të kësaj force politike, pasi Edi Rama ju ka lënë 100 ditë kohë drejtuesve të rinj për të hartuar atë që e quajti program për një rilindje të dytë të Partisë Socialiste.
Numri dy i kësaj partie, Damian Gjiknuri, në një dalje për mediat nuk i shpëtoi pyetjes së gazetarëve lidhur me paraardhësin e tij Taulant Balla.
A u ndje mungesa e zotit Balla në mbledhjen e Sekretaritit?
Gjiknuri: Në ç'kuptim? Nuk e di, duhet të pyesni zotin Balla, zoti Balla ka një detyrë shumë të rëndësishme që është drejtimi i grupit parlamentar socialist kështu që mendoj se ndarja e dy funksioneve gjithmonë është bërë në funksion të riorganizimit më të mirë të partisë dhe nuk ka pasur qëllim të zvogëlojë dikë apo të rrisë dikë tjetër.
Gjiknuri thotë se nuk ka pakënaqësi brenda strukturave të PS-së por flet për mosrealizim pritshmërish, që sipas tij do të fashiten rrugëve.
Pakënaqësi brenda PS?
Ka pakënaqësi brenda strukturave të PS dhe si do ta menaxhoni ju këtë si Sekretar i Përgjithshëm?
Gjiknuri: Nuk e di pakënaqësinë, këto mund të jenë konstatime në kuadër të anekdotave sepse unë nuk kam dëgjuar ndonjë pakënaqësi të strukturave. Natyrshëm që brenda një organizate, aq më tepër vullnetare dhe organe kolekltive ka dhe pritshmëri të ndryshme, mund të ketë ndonjë mosrealizim të ndonjë pritshmërie por janë gjëra, një proces që do të fashitet rrugës. Jam i bindur që PS ka kaluar aq prova dhe më parë sa të mbajë të gjithë ekuilibrat e nevojshëm dhe të nxjerrë më të mirën e saj sa i përket ekipit që ka, nuk shoh ndonjë problem.
Në 2022, PS me statut dhe riorganizim të ri
Sektetari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, tha se fillimi i vitit të ardhshëm do ta gjejë këtë parti me një statut dhe riorganizim të ri, teksa guri i parë i provës do të jenë padyshim zgjedhjet vendore.
Gjiknuri: Mandati i tretë gjithmonë është i vështirë dhe qeverisja ka dhe koston e saj. Puna ku duhet të bazohet PS dhe angazhimi i të gjithë organizatës socialiste do të jetë një garanci e fortë që kjo parti të mbetet vazhdimisht partia lider në politikbërjen e Shqipërisë.
Kryeministri Rama ka vendosur një afat 100 ditor për të gjithë drejtuesiet e sekretariateve, a është i mjaftueshëm për të përmbushur platformën e kërkuar?
Gjiknuri: Qëllimi i afatit 100 ditor ishte përmbyllja e analizave të nisura nga Kongresi që u zhvillua në qershor, analisa post-zgjedhore, dhe njëkohësisht ky 100 ditësh do ti vlejë të gjithë ekipit drejtues ekzekutiv të PS për të përgatitur projeksionin e ri, organizimin e ri dhe mendoj se është një afat i mjaftueshëm për të krijuar një ide dhe për të dalë me një platformë e cila natyrshëm do të dojë vite për tu implementuar. Partitë testimin e të gjithë aftesive të tyre organizative e kanë kur vijnë zgjedhjet, brenda dy vitesh do të kemi zgjedhjet vendore dhe në katër vjet zgjedhjet e përgjithshme dhe unë mendoj se është koha e mjaftuershme dhe për të testuar riorganizimin e ri të partisë.
Paralelisht keni nisur me analizën e zgjedhjeve të 25 prillit…
Gjiknuri: Do të zgjasë deri në fund të vitit dhe natyrshëm që fillimi i vitit do ta gjejë PS edhe me një statut të ri dhe me një organizim të ri për t'iu përgjigjur sfidave të mandatit të tretë. Mandati i tretë është një mandat i vështirë, njerëzsit kanë pritshmëri, PS ka një eksperiencë të madhe, ka pasur dhe probleme për të cilat duhet të reflektojnë.