Çmimet e lira 'magnet' për turistët nga Egjipti e Dubai, Hoxha: Në Dhermi sot gjen dhomë me 20 euro

Shqipëria është kthyer në destinacion të preferuar për shumë turistë të huaj. Këtë e vërtetojnë dhe shifrat e INSTAT, sipas të cilave gjatë muajit korrik në vendin tonë ka pasur 3 herë më shumë turistë në krahasim me vitin e kaluar.

Ekspertja e turizmit, Blerina Ago, pohon në emisionin 'Ditë e Re' në Rtv Ora, se numri i turistëve ka qenë i lartë dhe se fluksi i madh i ka gjetur bizneset të papërgatitura për shkak të pandemisë.

Çmimet e lira 'magnet' për turistët nga Egjipti e

"Sezoni turistik ka qenë i sforcuar, është  ende në kuadër të mbijetesës. Ky vit turistik ka qenë i lodhshëm sidomos për ofruesit e shërbimeve turistike. Sipas INSTAT  gjatë korrikut ka pasur rritje 3 herë më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm të turistëve të huaj që vijnë në Shqipëri. Pjesa e bregdetit ka pasur numër shumë të lartë të turistëve. I ka gjetur bizneset e turizmit disi të papërgatitur, pasi nga pandemia u reduktua stafi", thotë Ago.

Ndërkohë, Ismail Hoxha, gjithashtu ekspert turizmi pohon se shifrat e turistëve në vendin tonë ishin të kënaqshme për këtë sezon, duke marrë në konsideratë periudhën e pandemisë në të cilën ndodhemi.

"Turizmi në aspektin e numrave ishte një vit relativisht i mirë. Për raste të pandemisë të gjithë u detyruan të shkëputeshin nga Shqipëria ditët e para të shtatorit. 1 muaj e gjysmë është punuar me kapacitet të plotë", thotë Hoxha në emisionin 'Ditë e Re' në Rtv Ora.

Çmimet e lira 'magnet' për turistët nga Egjipti e

Cilët kanë qenë turistët e huaj që  kanë vizituar Shqipërinë këtë vit?

Eksperti thotë se turistët nga Dubai dhe Egjipti kanë qenë të shumtë këtë sezon turistik dhe një ndër arsyet e ardhjes së tyre janë çmimet e lira, fakti që mund të hynin në  vendin tonë pa tamponë dhe pa vizë.

"Risi kanë qenë turistë nga Egjipti dhe Dubai .Ata vijnë për veriun , kryesisht duan pjesën e veriut. Sigurisht çmimet e mira i kanë tërhequr në Shqipëri.

Nëse flasim për çmimet,  sot janë më të favorshme, në Dhermi sot gjen dhomë me 20 euro.Arsye e vizitës së turistëve në Shqipëri  ishte pasi ata  mund të udhëtonin pa tamponë dhe pa viza. Jam i sigurt që do të rikthehen, sepse janë shumë komunikueshëm,  flasin me njëri tjetrin dhe ua sugjerojnë vendin tonë miqve. Janë kënaqur në Shqipëri."

A janë ata turistët që ne duam?

Eksperti thotë se agjencitë turistike në Shqipëri nuk kanë kapacitetin të seleksionojnë turistët dhe të zgjedhin ata që sjellin më shumë fitime. Ai gjithashtu shprehet se turistët perëndimorë shpenzojnë më shumë se lindorët.

"Nuk jemi mësuar të zgjedhim klientët që sjellin më shumë fitim.  Shpenzimet ditore që bën një turist nga lindja dhe perëndimi janë të ndryshme. Perëndimorët shpenzojnë më shumë se sa lindorët", thotë Hoxha për 'Ditë e Re' me moderatorë Arjola Shehu dhe Arjon Muça, në ekranin e Rtv Ora.