Më 10 shtator mblidhet Parlamenti i ri, e dekretoi presidenti Meta

Në 10 shtator, do të rikthehen debate potike në vend, kur dhe do të nis zyrtarisht legjislatura e re parlamentare.

Kreu i shtetit Ilir Meta, nuk ka humbur kohë duke dekretuar datën më të afërt që i lejon Kushtetuta për të thirrur seancën e parë parlamentare.

Ky sesion i ri politik, pritet të jetë intensiv për faktin se Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare, pas dy vitesh jashtë institucioneve do të kthehet në aulën e debatit institucional, ndërsa kanë paralajmëruar iniciativa për një reformë të thellë kushtetuese dhe ligjore.

Këtyre zhvillimeve po i paraprijnë partitë politike. Demokratët në opozitë e përmbyllën vetëm pak ditë më parë ristrukturimin në kupolën drejtuese, ndërsa të enjten socialistët kanë thirrur Asamblenë Kombëtare pikërisht për këtë gjë: për të përcaktuar drejtuesit politik dhe për të zgjedhur kryesinë e re.

Por kjo mbledhje ka një rëndësi të veçantë edhe për faktin se Kryeministri Edi Rama, ka njoftuar se do të shpall emrat me të cilët do të qeveris vendin për 4 vitet e ardhshme. 

Kjo legjislaturë pritet të ketë zhvillime dhe debate politike për faktin se do të votojë edhe krerët e institucioneve kryesore të vendit të cilëve muajt e ardhshme ju përfundon mandate, duke nisur nga presidenti, guvernatori i bankës së Shqipërisë, avokati i popullit, apo emra brenda këshillit të lartë të prokurorisë dhe këshillit të lartë gjyqësor.