Betonieret në Tiranë, Policia rrugore nis verifikimin dhe ndëshkimin e mjeteve të tonazhit të rëndë
Policia rrugore ka nisur verifikimet për të gjitha mjetet e tonazhit të rëndë të cilat lëvizin në Tiranë jashtë orareve të lejuara duke krijuar ndotje dhe trafik. Shefi i trafikut urban në policinë e shtetit, Taulant Gjoka në një interviste për Ora News u shpreh se ky aksion do të vijojë dhe të gjithë shkelësit do të penalizohen.
"Ka disa zona të cilat Enti pronar ka vlerësuar me dhënien e autorizimeve të veçanta për mjetet e tonazhit të rëndë duke vendosur në bashkëpunim me policinë rrugore një kufizim për këta në oraret e pikut që është ora 06:00, 07:00, 09:00 në mëngjes dhe ora 14:00, 16:00 dhe 18:00. Ne po mundohemi të identifikojmë zonat problematike ku janë të zhvendosura kantieret e ndërtimit, atje ku konstatohen këto mjete dhe nuk do mungojnë masat dhe kontrollet tani në nisje të procesit mësimor," tha Gjoka.
Për sa i përket normalizimit të trafikut në rrugët e Tiranës, tashmë policia rrugore ka gati një plan masash ndërkohë që parashikohen edhe ndërhyrje në sinjalistikë me qëllim parandalimin e aksidenteve.
"Policia rrugore si çdo vit në vigjilje të nisjes së procesit të ri mësimor do marrë të gjitha masat për të rishikuar planin e vendosjes dhe për të shtuar forcat e saj në terren me qëllim menaxhimin e trafikut, kryesisht ku janë të vendosura zonat arsimore. Kemi detyrim për operacionet e ndihmës në rrugë dhe një nga detyrimet tona është dhe informimi i Entit pronar në ato segmente rrugore ku ne vlerësojmë se ka mangësi apo defekte," tha Gjoka.
Me fillimin e sezonit shkollor numri i auotmjeteve që qarkullojnë në Tiranë do të shtohet ndërkohë që policia rrugore po harton edhe planin e menaxhimit të trafikut me masa të shtuara për këtë periudhë./OraNews/

/OraNews/
