Alimehmeti: Masat e reja nuk bëjnë asgjë, vaksina me detyrim dështim, ka mungesë informacioni

Në një intervistë për RTV Ora, doktor Ilir Alimehmeti u shpreh se epidemia duhet parë si përkthehet në raste të rënda dhe jo vetëm në raport me rastet e reja.

Sipas tij, masat e reja nga Komiteti i Ekspertëve nuk bëjnë asgjë, pasi kontaktet mes njerëzve nuk kanë asnjë ndryshim lidhur me grumbullimet masive.

Ai theksoi se vaksina nuk duhet të jetë me detyrim pasi ka një refuzim të njihet imuniteti natyror dhe ka mungesë informacioni.

Ilir Alimehmeti: Epidemia duhet parë si përkthehet në raste të rënda dhe jo vetëm në raport me rastet e reja. Ne kemi po aq raste të reja sa kur kishim në periudhën janar-shkurt. Po të krahasojmë shifrat spitalore, kur kishim 3-4 spitale, ndërsa sot mbahemi vetëm me Infektivin. Nuk është situatë e tejmbushur si dikur. Masat nuk bëjnë asgjë. Sepse aktivitetet janë të mbyllura dhe njerëzit ku do të vejnë? Pra sa i takon kontakteve nuk bëjnë ndryshim. Njerëzit duhet të ishin të lirë të lëviznin. Në fakt probleme janë grumbullimet masive, sidomos në periudhën e pasdites dhe mbrëmjeve. Por ama ne mbyllemi në orën 23:00. Në fakt fokusi duhet të jetë distancomi dhe masat.

Kur përdorim fjalën me detyrim do të thotë se kemi të bëjmë me një dështim. Ka një refuzim që të njihet imunitet natyror kur kalohet sëmundja. Ne jemi të gjithë në të njëjtën varkë dhe na intereson sa zgjat imuniteti natyror, i cili zgjat shumë. Kur themi me detyrim ka kundrapasoja. Pse jo me dëshirë dhe të kuptojmë se ku duam të shkojmë. Duhet të japim të gjithë informacionin dhe qytetari vendos. Por kur është e detyruar nuk kemi një miratim të informuar, por vetëm detyrim.

Alimehmeti shtoi se duhet bërë një krahasim se si ecin kurbat delta në vende të ndryshme, por ne nuk kemi një të dhënë se sa e kanë kaluar në vendin tonë.

Ilir Alimehmeti: Nga ana tjetër ne kemi më shumë se 1.5 vite larg auditorëve shkollore, prandaj duhet të bëjmë çmos që të jemi në auditorë. Ndërkohë në raport me vendet e rajonit si Kosova dhe Maqedonia kemi një rritje të qëndrueshme të rasteve, por jo mënyrë eksponenciale. Prandaj duhet bërë një krahasim se si ecin kurbat delta në vende të ndryshme, por ne nuk kemi një të dhënë se sa e kanë kaluar në vendin tonë. Kur kjo mungon gjithçka tjetër është në pikëpyetje.