Tenton të korruptojë me 50 euro punonjësin e policisë, procedohet 22-vjeçari në Pogradec

Një 22-vjeçar është proceduar penalisht pasi ka tentuar të korruptojë punonjësit e policisë kufitare.

Mësohet se është proceduar shtetasi D. I., për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë përpunimit të dokumentacionit të qytetarëve, kanë konstatuar se shtetasi D. I., 22 vjeç, banues në Senegal, në brendësi të pasaportës së tij kishte vendosur një kartëmonedhë 50 euro, me qëllim për ta lejuar të kalonte kufirin në drejtim të Shqipërisë, pa vizë.”- njofton policia e Pogradecit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.