"Urbanët e Tiranës për Scrap", Task-Forca gjoba për autobusët e mjetet që shkaktojnë ndotje në qytet
Ka nisur në terren vënia e gjobave dhe ngritja e Task Forcës për vëzhgimin e mjeteve që shkaktojnë ndotje dhe kanë dëmtime të dukshme teknike.
Transporti rrugor është një nga burimet më të mëdha të ndotjes, duke kontribuar në cilësi të dobët e ajrit.
Ora News shpesh ka denoncuar shkarkimet e gazrave të automjeteve private por dhe atyre të tonazhit të lartë.
Për këtë arsye gjatë aksioneve në terren Task Forca ka intensifikuar kontrollet në lidhje me mjetet me mangësi të dukshme teknike si burim i nivelit të lartë të ndotjes, goma të dëmtuara dhe ngarkesa të pa sistemuara.
Gjatë ditës së djeshme ky institucion ka kryer kontrolle ku ka vendosur edhe masa administrative për ndotje atmosferike. Gjithashtu Task-Forca e Transportit Rrugor verifikuan mjetet e transportit qytetas ku u konstatua se autobusi që ndjek iteneratin TEG-Sauk-ZooPark-Tiranë Qendër-ish Stacioni Trenit, udhëtonte jashtë çdo kushti teknik.
Madje sipas Task Forcës edhe autobusë të tjerë që bashkia tiranë u ka dhënë licensën për kryer aktivitetin janë pa kontroll teknik, pa akt-komoditeti, me mangësi të theksuara funksionale e dokumentacioni.
Madje Task Forca e Transport Rrugor nëpërmjet një statusi në Facebook është shprehur se kjo gjendje skandaloze e flotës së një prej linjave që operon përmes qendrës së kryeqytetit dhe zonave urbane nga më rekreativet e të populluara nuk do të tolerohet më.
Më tej DPSHTRR - MIE shprehet se do nxisë Bashkinë Tiranë për masa ekstreme ndaj operatorëve të tillë, deri në heqje licence e madje mjete të tilla do të bllokohen edhe në sistemin e-DPSHTRR për çdo procedurë a transaksion deri në riparimin e plotë dhe rifutjen në normë teknike e ligjore ose dërgim për skrap/çrregjistrim përfundimtar.
