Kadilli: I gatshëm për t’i propozuar PD sfidat e reja politike, dorëheqja e Markut dëshmi e demoralizimit të kësaj force politike
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Ish-kandidati për Kryetar i Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli, ka komentuar deklaratën e pedagoges Jonila Godole, e cila tha se PD duhet të distancohet nga ish-Kryeministri Sali Berisha.
Ai është shprehur se është fshirë nga faqja zyrtare e PD, momenti kur Godole ka bërë një deklaratë të tillë për Berishën, teksa shton se kjo forcë politike ka një qëndrim krejtësisht ndryshe. Kadilli thekson se PD është në momentet e saj më të vështira, pasi kjo forcë politike ka një ‘fërkim’ me SHBA, që aktualisht është një nga aleatët strategjik të SHBA.
Ish-kandidati thekson se Kryedemokrati Basha prej muajsh nuk mban qëndrime politike pasi këto të fundit mbahen nga Berisha teksa thekson se ky i fundit duhet të ishte tërhequr nga PD.
"Së pari duhet bërë një korrigjim i minutës së fundit, nga faqja e PD është hequr lajmi, domethënë se PD zyrtare ka një tjetër qëndrim. Nuk ka një PD zyrtare. Një nga momentet më të këqija të kësaj partie është situata e sotme, ku ne kemi një fërkim shumë të fortë, shumë të nxehtë me SHBA që janë jo vetëm aleat strategjik i Shqipërisë dhe i gjithë shqiptarëve në rajon, por janë kontribues themelues të PD, në promovimin e lidershipit të PD përfshirë dhe Berishën. Nëse ne krijojmë këtë freksion të nxehtë me SHBA dhe nuk gjejmë një zgjidhje nuk do dobësohet DASH por demokratët. Tjetra, qëndrimin nuk e mban Basha ka një muaj e pak që nuk flet, por flet ish-kryetari, Berisha, i cili është në të drejtën e tij për t’u mbrojtur, s’kam asnjë keqkuptim me të. Nëse ti je kryetar partie, por qëndrimet politike sidomos për situatën më të vështirë i mban ish-kryetari, pse habitesh që njerëzit nuk të marrin seriozisht për kryetar, pse harxhon kot para për të bindur njerëzit se je kryetar, dhe habitesh që Rama të paketon duke të thënë votoni Lulin po brenda keni Berishën dhe Metën.
Në momentin më delikat kur demokratët duan zërin tënd si kryetar ti nuk flet. Fol ça duash por fol. Unë kam mbajtur qëndrimin tim por unë jam rivali i tij, sfidanti i tij, demokratët e dinë zërin tim, por nuk dinë atë për të cilin votuan edhe njëherë. Kjo e demoralizon çdo demokrat. PD ka një problem që duhet ta zgjidh dhe kjo nuk është thjesht vetëm Berisha. Berisha duhet të ishte tërhequr realisht nga drejtimi i partisë, nuk u tërhoq asnjëherë. I ka fshehur këmbët, ka bërë sikur nuk ka qenë prezent por ka qenë përcaktues."
Kadilli shton se Berisha dhe Basha janë një vetëm se kanë emrat ndryshëm, ndërsa thekson se PD nuk e ka përmbushur por i është shmangur misionit.
Ai thotë se është i vendosur për t’i propozuar PD sfidat e reja politike.
"Dhe çdo kush që ka menduar se mes Berishës dhe Bashës ka ndonjë dallim gabon, janë e njëjta gjë, kot i kanë emrat e ndryshëm. Ky problem zgjidhet kështu. Sa kohë që PD në këto tetë vjet nuk krijoi dot një projekt të ri politik që t’i përkasë shekullit 21, sillet kot rrotull. Unë jam i vendosur për t’i propozuar demokratëve në mënyrë sistematike sfidat e reja politike. PD nuk e ka përmbushur, por i është shmangur misionit si një force djathtë. Misioni im do të ishte, pajtimi kombëtar, prona private, konkurrenca, tregu ekonomia, arsimi mbi logjikën e atyre që janë konsecatorë dhe liberalë të tregut. Këto gjëra nuk i bëri u shmang. Detyra jonë është ta rikthejë në objektivin e vet, në misionin e vet. Duhet të përpiqemi t’i shkruajmë të ardhmen PD dhe ta lëmë në shenjtin e tij si të vjetrin dhe të riun. Kjo është sfida e çdo demokrati, duhet të bëjmë një PD që të ecë fort."
Fakti që PD i është drejtuar greminës nuk do të thotë që nuk ecën.
Përsa i përket dorëheqjes së Mark Markut nga mandati i deputetit, thotë se kjo është dëshmi e demoralizimit të PD.
"Dëshmi i demoralizimit të PD, nëse një person që erdhi me bujë, u rikthye në politikë me bujë, mori përgjegjësinë e drejtimit të një qarku dhe nuk arriti rezultat të keq, mbrojtës fanatik deri në datën 13 qershor i Bashës, arrin këtu, arrin sepse kupton shumë shpejt falë karakterit, arrin të kuptojë se në PD nuk ka komunikim, nuk ka partneritet politik, nuk ka projekt politik, natyrisht që gjen zgjidhjen e ikjes. Unë nuk jam dakord për ikjen sepse nuk le vakum. E mirëkuptoj tërësisht qëndrimin e Markut."
Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Anila Kolgjini.

