Krimet zgjedhore "pa autor", Prokuroritë zgjatin afatet hetimore, asnjë dosje në Gjykatë

Katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit asnjë nga krimet zgjedhore te denoncuara nuk ka përfunduar në Gjykatë.

Prokuroria e Posaçme dhe ato të rretheve nuk kanë përfunduar në asnjë rast hetimet për të dërguar ndonjë para togave të zeza, ndonëse afatet hetimore për këto raste janë 3 muaj dhe ato të prokurorisë së posaçme 6 muaj.

Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm i kanë zgjatur me nga 3 muaj hetimet ndërsa Prokuroria e Posaçme është ende ne fazën hetimore.

Para dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit, në Prokurorinë e Posaçme u depozituan 173 denoncime për krimin zgjedhor, raporton Ora News.

Mbi 90% e tyre janë paraqitur nga vet subjektet politike, dhe një pjesë e vogël është nga qytetarët.

Deri në mes të muajit Korrik janë regjistruar 59 kallëzime ndërsa për 20 raste është vendosur mosfillimi i procedimit penal pasi nuk ka pasur të dhëna të mjaftueshme.

Burime nga SPAK bëjnë me dije se një kategori tjetër e informacioneve të ardhura për krime zgjedhore nuk mund të konsiderohen kallëzime, pasi kanë qenë në nivelin e informacioneve anonim.

Ndërsa ne Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm deri më datë 7 maj 2021, rezultoi se Prokuroritë patën regjistruar 38 kallëzime për vepra penale në lidhje me zgjedhjet dhe se në proces verifikimi paraprak ishin 50 të tjera, raporton Ora News.

Në morinë e shumtë të kallëzimeve 10 persona u morën të pandehur për këto vepra, 5 u arrestuan në flagrance, dhe 3 persona përfunduan “arrest në burg”.

Përgjatë kësaj periudhe në Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm u kallëzuan në total 125 raste shkeljesh, abuzimesh dhe manipulimesh të pretenduara./OraNews/