Reformimi i demokratëve, votimi “eleminon” nga kryesia rivalët dhe kritikët e Bashës

Krahas zgjedhjes së nënkryetarëve  dhe sekretarëve të rinj, Partia Demokratike zgjodhi edhe 15 anëtarë të kryesisë. Votimi i Këshillit Kombëtare, ka përjashtuar kritikët e Bashës, duke lënë jashtë organit më të rëndësishëm, dy sfidantët për kreun  e PD-së, Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli. 

Gjithashtu jashtë kryesisë ka mbetur ish sekretari organizativ Enno Bozdo, por edhe dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi.

Jashtë funksioneve partiake ka mbetur edhe ish presidenti Bujar Nishani i cili është zëvendësuar si kryetar i Këshillit Kombëtar nga ish nënkryetari Edi Paloka.

Nishani nuk i kurseu sërish akuzat: “Kurrë, në këto 30 vite të pluralizmit politik në Shqipëri, nuk ka patur rast kur një kryetar opozite pas 8 vitesh të jetë kaq i diskretituar e kaq i pambështetur në opinion sa ç’është Lulzim Basha. Ndoshta ky nuk është një problem për Lulzim  Bashën, por është problem i madh për Partinë Demokratike, është kërcënim për sistemin politik të vendit, është problem për Shqipërinë” 

Emra të rinj në kryesi, vijnë Fitim Zekthi, Juela Hamati dhe Taulanta Jupi ndërsa janë konfirmuar një pjesë e Kryesisë së fundit, raporton RTV Ora. 

Kryesia e re e Partisë Demokratike, do të ketë 38 anëtarë, ku 23 prej tyre shkojnë aty për shkak të funksionit ndërsa 15 u zgjodhën nga Këshilli Kombëtarë. 

Pas kupoles drejtuese, Partia Demokratike pritet që ta shtrije ristrukturimin edhe në degë, kryesisht te ato që analiza për 25 prillin i ka nxjerrë me probleme.