Loja me tenderin e policisë për makinat, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ndryshon tre herë vlerësimin

Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka ndryshuar tre herë vlerësimin për tenderin e Riparimit dhe Mirëmbajtjes së Automjeteve të Policisë Lezhë me fond limit 12.1 milionë lekë. Përplasjet mes kompanive e kanë dërguar çështjen edhe në Komisionin e Prokurimit Publik.

Tenderi për Riparimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve për Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë ka sjell përplasje mes dy kompanive pjesëmarrëse.

I pavendosur duket se ka qenë dhe Komisioni i Vlerësimit të ofertave, i cili ka ndërruar 3 herë vendimin.

Procedura e hapur nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruar është përcaktuar me një fond limit 12.1 milionë lekë dhe është zhvilluar në datën 2 prill.

Dy javë më vonë institucioni ka njoftuar subjektet pjesëmarrëse se janë kualifikuar të dyja, gjë e cila ka sjellë pakënaqësi tek kompania Alstezo, raporton Ora News.

Ky i fundit kishte paraqitur dhe ofertën më të lartë dhe automatikisht kontratën e merrte operatori tjetër.

Në datën 7 maj Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, në bazë të ankesës së subjekti Alstezo ka kryer një tjetër vlerësim, këtë herë duke skualifikuar ofertën më të ulët.

Por sërish, ky nuk është vendimi përfundimtar, pasi 2 javë më vonë kryhet një tjetër rivlerësim, këtë herë me kërkesën e subjektit të skualifikuar.

Vilnik Motors Shpk me ofertën prej 7.2 milionë lekësh, hedh poshtë pretendimet e konkurrentit dhe i kërkon autoritetit kontraktor rikualifikimin, raporton Ora News.

Agjencia e Blerjeve të Përqendruara i është bindur kësaj kërkese duke kualifikuar të dy kompanitë, por që sigurisht kontrata shkonte për Vilnik Motors Shpk.

Alstezo ka bërë dhe një herë ankimim, por pa gjetur mbështetje. Edhe Komisioni i Prokurimit Publik ka konstatuar se pretendimet e ankimuesit nuk qëndrojnë pasi subjekti me ofertën më të ulët plotësonte të gjitha kushtet për të nënshkruar kontratën./OraNews/